UBT mbylli Javën Globale të Ndërmarrësisë me rrëfime suksesi të ish-studentëve të UBT-së
19/11/2018Drejtues të shkollave, udhëheqës të bizneseve, prijës të inovacioneve të ndryshme dhe profesorë në universitete vendore dhe ndërkombëtare. Kjo është e tashmja e ish-studentëve të UBT-së, të cilët para shumë vitesh iu bashkuan institucionit vetëm si studentë.
Të gjitha këto suksese u prezantuan në ditën e fundit të shënimit të Javës Globale të Ndërmarrësisë, në kuadër të aktivitetit “Mbrëmja e Alumn-it Ndërmarrës”, përmes rrëfimeve të treguara nga ish-studentët tanë, që sot janë ndërmarrës shumë të njohur në Kosovë, të tillë si Hana Qerimi, Florian Piraj dhe Bekim Maloku.
Drejtori i Qendrës së Karrierës në UBT, Halil Bashota tha se UBT ka krijuar këtë qendër me qëllim që studentët t’i ofrojë më afër tregut të punës, e që, siç tregoi ai, ka ndihmuar në punësimin e qindra studentëve.
“Qendra e Karrierës në UBT shërben si qendër e cila i orienton dhe këshillon studentët të bëjnë ndërlidhjen e tyre të procesit akademik me tregun e punës dhe të ndërlidhin përvojën në praktikë profesionale dhe internship”, sqaroi Bashota.
Rrëfimin për suksesin e arritur pas përfundimit të studimeve në UBT e nisi Bekim Maloku, themelues i kompanisë “Melosi”.
Ai kujtoi përvojat personale dhe mënyrën e duhur e hapat që duhet ndërmarrë për të krijuar një biznes dhe për t’u bërë ndërmarrës i suksesshëm.
Padyshim, Hana Qerimi është ndër ish-studentet më të suksesshme të UBT-së, e historinë e saj të suksesit e tregoi me shumë nostalgji para studentëve aktualë të UBT-së.
Ajo tha se është emocion shumë i veçantë kthimi si ndërmarrëse në vendin kur dikur ka qenë studente.
Printerat 3D janë padyshim inovacion në botën moderne, e një të tillë e solli ish-studenti i UBT-së, Florian Piraj, përmes kompanisë “Formon”, që e ka bashkëthemeluar me të rinj të tjerë.
Gjatë prezantimit ai dha informacione rreth kompanisë “Formon” dhe mënyrës së funksionimit të printerëve 3D.
Java Globale e Ndërmarrësisë në UBT u shënua me aktivitete nga më të ndryshmet, të cilat mblodhën në UBT ekspertë, profesorë, përfaqësues organizatash dhe ndërmarrës të shumtë, të cilët së bashku arritën të përçonin mesazhin se sa e rëndësishme është ndërmarrësia për zhvillimin ekonomik të një vendi.