UBT mbajti mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Fetah Jagxhiu

24/11/2023

Studentë, familjarë, profesorë, kolegë e miq të shumtë u mblodhën sot në UBT, në mbledhjen komemorative të organizuar në nderim të veprës dhe kontributit të pashuar të profesorit Fetah Jagxhiu.

Profesori Jagxhiu dha një kontribut të veçantë në themelimin e Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore (Ndërtimtarisë) dhe Infrastrukturës në UBT, teksa për 50 vjet me radhë u angazhua në fushën e arsimit. Ai u nderua me një çmim nga UBT për kontributin e tij në arsim.

Po ashtu, kontributi i tij ka qenë i madh në vitet e 90-ta, ku ka qenë kryetar i Senatit të Universitetit të Prishtinës. Ishte pjesëmarrës edhe i Lëvizjes Studentore të 1997.

Në emër të UBT-së foli Dekani i Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, Prof. Dr. Binak Beqaj, ndërsa në emër të familjes Jagxhiu foli e bija e profesori, profesoresha Besa Jagxhiu.

Biografia e Profesorit Fetah Jagxhiu:

Profesor Fetah (Selman) Jagxhiu është lindur me 25 dhjetor 1937 në Prizren. Shkollën Fillore dhe Gjimnazin e ka kryer në vendlindje me sukses shembullor.

Në vitin shkollor 1957/58 regjistrohet në Fakultetin AGG në drejtimin e Ndërtimtarisë, në Universitetin e Zagrebit. Studimet i përfundon si ndër të parët e gjeneratës së vet në prill të vitit 1963. Si inxhinier i parë i ndërtimtarisë i qytetit të Prizrenit, punësohet në ndërmarrjen shtetërore ndërtimore “Sharr”, ku punon deri në muajin tetor të po atij viti 1963, kur me kërkesën e disa kolegëve të studimeve të Zagrebit dhe me lejen e drejtorit të ndërmarrjes “Sharr”, Gani Demiri, i cili ka qenë luftëtar dhe patriot dhe largpamës, në tetor të vitit 1963 punësohet si asistent në Shkollën e Lartë Teknike në Prishtinë, të posa themeluar me tri drejtime: Ndërtimtari, Elektroteknikë dhe Makineri.

Në drejtimin e Ndërtimtarisë dhe të Makinerisë nuk ka pasur asnjë shqiptar, ndërsa në drejtimin e Elektroteknikës ishin disa inxhinier të diplomuar me përvojë dhe atëherë u kuptua pse ishte ftesa e atyre kolegëve të elektroteknikës, që edhe ky inxhinier i ri i diplomuar i Ndërtimtarisë të vjen në SHLT në Prishtinë, t’i bashkëngjitet atyre kolegëve, që atëherë ishin asistent në drejtimin e elektroteknikës.

Në tetor të vitit 1965 themelohet Fakulteti Teknik në Prishtinë si dega e Fakultetit të Ndërtimtarisë të Universitetit të Beogradit me vetëm një drejtim, atë të Ndërtimtarisë ngase në atë drejtim ishin më shumë kuadro (inxh. të dipl.) serbë, edhe vetë drejtori i ShLT ishte serb, i cili u zgjodh edhe dekan i parë i Fakultetit Teknik. Prej komisionit Amë të Fakultetit të Ndërtimtarisë u zgjodh, atëherë inxh. i dipl. Fetah Jagxhiu, asistent i parë shqiptar i Fakultetit Teknik në Prishtinë ku mbaheshin ligjëratat vetëm në gjuhën Serbokroate. Në tetor të vitit 1965 Fetah Jagxhiu regjistrohet në studime pasdiplomike posa të themeluara, në Universitetin e Zagrebit.

Në vitin 1970, ishte ndër të parit në gjeneratën e vet që diplomoi, kështu që ishte magjistri i parë i shkencave teknike ne Kosove. Po atë vit, sipas ligjit të asaj kohe u zgjodh në thirrjen universitare Docent për dy lëndë: Mekanika dhe Rezistenca e materialeve.

Në tetor të vitit 1971 u zgjodh dekan i Fakultetit Teknik (dekan i parë shqiptar i Fakultetit Teknik) me pesë drejtime (3 në Prishtinë – Ndërtimtaria, Elektroteknika dhe Makineria dhe 2 drejtime në Mitrovicë – Xehtaria dhe Metalurgjia).

Në vitin 1977 paraqet tezën e Doktoratës në Prishtinë, UP. Në vitin 1978 qëndroi në studime shkencore në Universitetin Politeknik të Krakovit në Republikën e Polonisë. Në vitin 1982 mbron tezën e Doktoratës në Prishtinë.

Në po të njëjtin vit zgjedhet në thirrjen Prof. inordiner, ndërsa në vitin 1987 zgjedhet në thirrjen Prof. ordiner. Në vitin 1991 nga ana e organeve të dhunshme të asaj kohe së bashku me pedagogët dhe studentët shqiptar largohet nga Universiteti. Në Tetor të po atij viti kyҫet në grupin organizativ të pedagogëve të Universitetit të Prishtinës për organizimin e mësimit në shtëpia private (sistemi i arsimit paralel). Në atë kohë të sistemit paralel, zgjedhet Dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.

Detyrën e dekanit të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës e kryen në dy mandate deri në tetor të vitit 1994. Derisa ishte dekan i FNA në tetor të vitit 1992 në protestat e atij viti burgoset dhe maltretohet nga policia serbosllave e asaj kohe. Posa e përfundon mandatin e dekanit të FNA (tetor 1994), nga Senatit i Universitetit të Prishtinës zgjedhet Kryetar i parë i Senatit të Universitetit të Prishtinës me mandat 4 vjeçar deri në vitin 1998.

Deri sa ishte dekan i FNA organizon studimet pasdiplomike në vitin 1994/95 në degën e Ndërtimtarisë – drejtimi konstruktiv, të cilat studime edhe i udhëheq prej vitit 1995 deri në vitin 2003 (kur është pensionuar).

Paralel punës si pedagog universitar ka dhënë kontributin e madh në përpilimin e teksteve universitare.

Disa nga tekstet e botuara të tij të cilat do të shërbejnë edhe për shumë gjenerata në të ardhmen janë:

  1. “Mekanika I (Statika)”
  2. “Përmbledhje detyrash të zgjidhura nga Mekanika I”
  3. “Mekanika II (Kinematika)”
  4. “Mekanika III (Dinamika)”
  5. “Rezistenca materialeve pjesa e I”
  6. “Përmbledhje detyrash të zgjidhura nga Mekanika II (Kinematika)”
  7. “Rezistenca e materialeve – pjesa e dytë”
  8. “Teoria e elasticitetit”
  9. “Teoria e plasticitetit”
  10. “Teoria e zvarritjes”