UBT mbajti diskutim për sfidat e të praktikuarit të gazetarisë në Kosovë

29/04/2022

Fakulteti Media dhe Komunikim, ka zhvilluar një debat me temën: “Sfida e të praktikuarit të gazetarisë në Kosovë”, me profesionistë të gazetarisë dhe medias në Kosovë, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan.

 

Në këtë debat morën pjesë profesorë të UBT-së, studentë dhe ish-studentë të Fakultetit Media dhe Komunikim, në të cilin debatuan për rolin e gazetarëve, si dhe për ballafaqimin e tyre me sfida të ndryshme përgjatë kryerjes së punës së tyre në këtë profesion.

 

Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, prof. dr. Ferid Selimi, ka diskutuar me të pranishmit për temën qendrore të këtij diskutimi, teksa ka shpalosur edhe shifra të gazetarëve të vrarë dhe të burgosur, me theks nga viti 2019 deri në vitin 2022, duke shtrirë më pastaj diskutimin edhe për etikën dhe deontologjinë e medias, si dhe funksionet e medias në ditët e sotme.

 

Profesori i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Safet Zejnullahu, vëmendje të veçantë diskutimit të tij për rolin e gazetarëve dhe ballafaqimin me sfidat i dha tek problemet dhe rreziqet që i kanosen gazetarëve, si dhe tek cenzura në media, duke e theksuar faktin se dikur kemi pasur një gazetari të kontrolluar.

 

Nga ana tjetër, profesori Musa Sabedini ka theksuar rolin e etikës në gazetari, si dhe sfidat që ballafaqohet një gazetar profesional, duke e lidhur gjithnjë me përvojën e tij empirike, teksa në të njëjtën kohë në këtë diskutim profesori i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, prof. dr. Votim Hanoli, diskutimin e tij e shtriu mbi raportimet gazetareske, duke theksuar rolin e gazetarëve dhe gazetarisë në shoqëri.

 

Ndërkaq, për sfidat kryesore me të cilat po ballafaqohen mediat në përgjithësi foli profesori Ejup Gojnovci, i cili i dha theks të veçantë kontekstit teknologjik dhe zhvillimit të madh të teknologjisë e që sipas tij ka pasur një ndikim të madh tek zhvillimi i mediave online, përderisa ai ka përmendur edhe gazetarinë e shpejtë dhe të manipuluar, si një trend i fundit i gazetarisë.

 

Në këtë diskutim mori pjesë edhe ish-studentja e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Albina Zeneli, e cila tashmë ka një emision të fushës së showbizit, e që së bashku me profesorët ndau kujtime nga studimet dhe përvoja e saj 5 vjeçare në lëmin e gazetarisë.