UBT mbajti debat për projektligjin për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në fushën e ndërtimit

02/10/2021

Në ambientet e qendrës së UBT-së në Prishtinë, me organizim të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, UBT mbajti debatin për projektligjin për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në fushën e ndërtimit.

 

I pranishëm në këtë debat ishte rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dekani i Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, dr. Lulzim Beqiri, si dhe profesorë të tjerë të UBT-së.

 

Gjatë këtij debati u diskutua mes rektorit, ministrit dhe të pranishmëve të tjerë për rëndësinë e një ligji të tillë, si dhe për rolin dhe mundësinë që të bëhen përmirësime në këtë projektligj.

 

Rektori Hajrizi fillimisht falënderoi Fakultetin Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT për organizimin e një debati të tillë, duke parë rëndësinë që ka ky projektligj për arkitektët dhe inxhinierët e ndërtimit.

 

“Zhvillimi i këtij projektligji përcakton qartë kompetencat dhe detyrat e Odës së Arkitektëve dhe Inxhinierëve të fushës së ndërtimit, dhe në këtë mënyrë është më i qartë ky rrugëtim, ndaj me rëndësi te ky ligj është të merren praktikat më të mira ndërkombëtare në forma të shumëanshme”, ka thënë rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi.

 

Ndërkaq, ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në UBT, Liburn Aliu tha se ky projektligj është kaluar në lexim të parë dhe debatet e tilla rreth projektligjeve janë shumë të rëndësishme për procesin

 

“Është shumë e rëndësishme që të kemi debate të tilla sa më shpesh për projektligje që janë, si dhe për ato që do të vijnë, ngaqë nga përvoja që kemi pasur në të kaluarën projektligjet vetëm janë miratuar dhe nuk janë diskutuar shumë, pra nuk ka pasur debat të shumtë për to”, ka thënë ministri Aliu.

 

Sipas tij, për çdo ndryshim të mundshëm rreth këtij projektligji për të cilin u debatua duhet të drejtohen dhe të dërgojnë rekomandime qoftë në mënyrë të organizuar qoftë individualisht në Komisionin për Mjedis.

 

Nga profesorët e UBT-së u dhanë rekomandime dhe kritika mbi mënyrën se si është hartuar ky projektligj, pasi që sipas tyre ka mangësi të cilat mund të ndikojnë në funksionimin dhe punën e Odës së Arkitektëve dhe Inxhinierëve në fushën e ndërtimit.