UBT ka shpërblyer mbi 100 studentë të dalluar me bursa studimi në nder të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës
17/02/2024Bursat u ndan nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në një ceremoni ku morën pjesë edhe mysafirë nga Italia dhe vende të tjera të Evropës, në mesin e të cilëve ishin edhe arbëreshë të Italisë.
Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi tha se qëllimi i këtyre bursave është të motivojë dhe të përkrahë studentët gjatë rrugës së tyre në botën akademike. Ai shprehu krenarinë për suksesin e studentëve dhe i cilësoi ata si talentët, inovatorët e së ardhmes dhe shtet-ndërtuesit e Kosovës.
“Arritjet e këtyre studentëve na bëjnë shumë krenarë dhe gjithsesi janë motivi jonë si institucion i arsimit të lartë. Ne mburremi që studentët tanë kanë sukses në studime. Pra, nuk është pak sepse gjithë këta studentë kanë arritur notë të lartë mesatare. Këta të rinj janë talentët dhe inovatorët e së ardhmes, prandaj gjejnë punë dhe janë më të kërkuarit në tregun e punës”, potencoi Rektori Hajrizi.
UBT ka një histori të gjatë në ndihmën dhe lehtësimin e shkollimit për të rinjtë nga Kosova dhe rajoni. Çdo vit, institucioni ndan bursa në vlerë prej vlerë të 1 milion e 500 mijë eurove, duke ndihmuar qindra studentë në rrugën e tyre të arsimit të lartë.