UBT ju uron Vitin e Ri 2022

30/12/2021

Me rastin e ndërrimit të motmoteve, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka uruar gjithë studentët, stafin akademik e administrativ, si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, Vitin e Ri 2022.

 

Urimi i plot i rektorit prof.dr. Edmond Hajrizi:

 

I nderuar staf dhe studentë të UBT-së,

 

Puna jonë e përditshme dhe profesionalizmi i lartë janë çelësi i arsimit me cilësi të lartë në UBT. Të gjithë kemi një përgjegjësi të madhe për edukimin e një brezi të ri profesionistësh të ardhshëm, njerëz të pasur shpirtërisht dhe qytetarë të denjë.

 

Ky vit solli një sërë ngjarjesh e aktivitetesh, me to edhe arritje dhe suksese të reja jo vetëm për institucionin por për gjithë vendin. Përgjatë vitit që po lëmë pas UBT u rikonfirmua si një nga universitetet kryesore në vend dhe ka përmirësuar edhe më shumë pozicionin në renditjen ndërkombëtare dhe vendore. Institucioni arriti që Kosovën ta rendit të parën në rajon për nga implementimi i gjeneratës së pestë së teknologjisë së rrjeteve celulare pa tela – 5G. Konfirmuam edhe njëherë se jemi lider në zbatimin e teknologjisë së realitetit virtual dhe të shtuar, duke hapur kështu edhe qendrën e parë, të vetmen dhe më të madhen në Ballkan, “EON Reality, Augmented and Virtual Center”.

 

Në vitin 2021 ne vazhduam t’i qëndrojmë afër komunitetit, industrisë dhe partnerëve tanë, duke ndihmuar ata në zhvillimin e strategjive për Smart City ose që njihen ndryshe si qytete të mençura, mirëpo në të njëjtën kohë përuruam qendrën më të madhe dhe më moderne të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit UBT Smart City, të lokalizuar në Parkun Shkencor dhe Inovativ të UBT-së.

 

Viti 2021 ishte vit i projekteve të mëdha, dhe i tillë ishte edhe hapja e qendrës së teknologjisë dhe inovacionit në qytetin e Korçës, projekt ky shumë i rëndësishëm dhe i jashtëzakonshëm për zhvillimin e të rinjve tanë që jetojnë në qytetin e Korçës.

 

Po në këtë vit, ne numëruam një numër të madh të projekteve të realizuara, rreth 150 sosh, duke marrë akreditimin edhe për arsimin e mesëm të lartë si dhe për shkollën e mesme të mjekësisë, një hap tjetër në përgatitjen e gjeneratave në mënyrë profesionale qysh në shkollimin e mesëm të lartë.

 

Të nderuar, unë ju falënderoj për punën tuaj, përkushtimin dhe për arritjet e përbashkëta. Gjithashtu, falënderoj studentët tanë, të cilët na përfaqësuan në aktivitete të ndryshme shkencore, shoqërore, dhe bënë që zëri i rinisë kosovare të dëgjohet gjithandej botës.

 

Ky vit ishte i veçantë për shkak të përvjetorit jubilar të UBT-së, si dhe sjelljes së 30 inovacioneve në fushën e edukimit, shkencës e teknologjisë në Kosovë, duke e vendosur vendin tonë në shumicën prej tyre si të parin në rajon, ndaj uroj që viti i ardhshëm të jetë plot momente të paharrueshme dhe të mrekullueshme.

 

Ju uroj të vendosni qëllime të reja dhe të filloni të punoni në mënyrë që t’i arrini ato. Uroj që të jeni energjikë dhe të gëzuar. Ka shumë punë përpara për të bërë që përfshijnë: projekte inovative, ide të reja, projekte kërkimore, pjesëmarrje në konkurse të ndryshme, festivale dhe gara botërore, si dhe kërkime shkencore.

 

Jam optimist dhe i sigurt se viti 2022 do të jetë edhe më i mirë dhe më i fuqishëm se ky vit që po lëmë pas.

 

Gëzuar 2022!

 

Presidenti i UBT-së,

Prof.dr. Edmond Hajrizi