UBT jep Çmimin “Leadership Excellence Award” për Universitetet e Shqipërisë

22/02/2023

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, u bë ndarja e çmimit të përvjetshëm “Leadership Excellence Award”, i cili këtë vit u dedikua për Universitetet e Republikës së Shqipërisë, për kontributin e pamohueshëm për krijimin e kuadrove profesioniste të Kosovës.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi në fjalën e tij theksoi së vlerësimi i Universiteteve të Shqipërisë vjen si rezultat i kontributit të jashtëzakonshme të arsimimit dhe edukimit të të rinjve nga Kosova dhe nga trojet e tjera shqiptare jashtë Shqipërisë.

“Kontributi i Shqipërisë për arsimimin dhe edukimin e të rinjve nga Kosova është i pamohueshëm. Kujtojmë këtu vitin 1941, kur nga Shqipëria në Kosovë erdhën mbi 400 mësimdhënës dhe hapën shkolla shqipe e shpërndanë dituri, në një kohë kur analfabetizmi në Kosovë ishte shumë i lartë. Në kohët më të vështira, Universitetet e Shqipërisë përgatitën kuadro profesionale për Kosovën. Ky është një kontribut i paçmueshëm dhe që do të vlerësohet gjithmonë në Kosovë”, tha rektori Hajrizi.

Për këtë vlerësim të UBT-së, në emrin e universiteteve shqiptare, kryetari i Konferencës së rektorëve në Shqipëri, Artan Hoxha, u shpreh falënderues dhe mirënjohës ndaj UBT-së, duke theksuar nevojën e rritjes së bashkëpunimeve të reja në mes institucioneve arsimore në Kosovë dhe Shqipëri.

“Arsimi i lart privat në Kosovë po ecën me një ritëm të shpejtë. UBT është një nga ato rastet që mund të krenohemi, dhe që së bashku me të gjitha institucionet e tjera ndikon në zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë. Ne vazhdojmë të punojmë së bashku me institucionet e arsimit të lartë dhe uroj që këto bashkëpunime të vazhdojnë dhe të thellohen më shumë”, u shpreh Hoxha.

Çmimi “Leadership Excellence Award” është mirënjohja më e lartë që ndan UBT. Ai jepet çdo vit dhe u dedikohet institucioneve, organizatave apo individëve që kanë dhënë kontribut në sfera të ndryshme sociale.