UBT filloi bashkëpunimin me Fondacionin Italian – Organizata e Kërkimit
18/04/2019UBT dhe Fondacioni Italian (Fondazione Italiani Organismo di Ricerca) kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, që do të sjellë mundësi të reja për studentët dhe kërkuesit e të dy institucioneve.
Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi dhe presidenti i Foncacionit Italian, Gennaro D. Damato, janë pajtuar që këtë nismë të përbashkët ta shfrytëzojnë për të jetësuar projekte të përbashkëta, përfshirë ndërkombëtarizimin e aktiviteteve kërkimore dhe trajnuese, identifikimin e strategjive të reja në aspektin social dhe kulturor, shpërndarjen e njohurive dhe përvojave në hapësirat e operimit të të dy institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve për të mbështetur shkëmbimin e përvojave ndërmjet palëve.
Kjo marrëveshje do të jetë pikënisje edhe e planeve për realizim të konventave, seminareve dhe konferencave mbi tema me interes të përbashkët midis institucioneve, për zhvillim të projekteve kërkimore dhe studimore, si dhe për formulim dhe zhvillim të projekteve të përbashkëta të bazuara në programet e financimit të BE-së.
Më shumë se 300 marrëveshjet e bashkëpunimit të UBT-së me universitete, institute kërkimore dhe organizata të njohura nga mbarë bota, kanë bërë që institucioni të konsiderohet partner serioz për nisjen dhe jetësimin e qindra projekteve me ndikim të madh në nivel shtetëror e ndërkombëtar.