UBT e rendit Kosovën të parën në rajon në vendosjen e rrjetit 5G

09/11/2021

Kosova është bërë me kampusin e parë universitar që ka instaluar rrjetin global 5G, duke e lokalizuar në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, përmes një marrëveshje mes UBT-së dhe kompanisë finlandeze të telekomunikacionit “Nokia”.

 

Në një ceremoni solemne, nën patronatin e rektorit të UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, është bërë inaugurimi i shtrirjes së gjeneratës së pestë së teknologjisë së rrjeteve celulare pa tela – 5G.

 

Pjesëmarrës në këtë ceremoni në formë virtuale ishin: ambasadorja e Ambasadës së Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, përfaqësuesi i kompanisë së telekomunikacionit “Nokia”, David Pavlinic, si dhe profesori i Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, Xhafer Krasniqi, ndërkaq fizikisht morën pjesë përfaqësues nga zyra e kryeministrit, ARKEP, komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sporte, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përfaqësues të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përfaqësues nga Zyra e Koordinatores për Zhvillim të OKB-së, drejtues të Parkut Trajnues në Prizren, përfaqësues të Telekomit të Kosovës, përfaqësues të Odës Ekonomike Gjermane, përfaqësues të Odës së Afarizmit, përfaqësues nga kompani të ndryshme, si dhe përfaqësues dhe pjesëmarrës të tjerë nga institucionet vendore.

 

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, në hapje të kësaj ceremonie tha se UBT po prezanton një teknologji të re në Kosovë, e cila tashmë po kompleton një ekosistem të quajtur “Placed based Innovation Ecosystem”.

 

“Besojmë se tashmë e kemi krijuar një ekosistem që po e quajmë “Placed based Innovation Ecosystem”, ku përveç teknologjisë 5G kemi bërë edhe një qendër për virtualizim të bazuar në Virtual Reality dhe Argumented Reality. Kur të mbledhim të gjitha këto komponente është një investim diku rreth 50 milionë euro dhe që shumica është bërë nga investimi ynë 20 vjeçar, por që kemi pasur edhe investime që vijnë edhe nga partnerët tjerë, në këtë rast nga kompanitë që kemi krijuar njëlloj kornize të një sipërmarrje të përbashkët”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Virtualisht, ambasadorja e Ambasadës së Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, ka thënë se ndihet e lumtur me këtë arritje të UBT-së, duke theksuar se UBT ka bërë një progres të jashtëzakonshëm që i ka ndihmuar shumë promovimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

 

“Jam shumë krenare që po arrini ta jetësoni këtë projekt në një universitet dhe po mundoheni t’i gjeni format më të mira për ta shfrytëzuar rrjetin 5G. Ka shumë gjëra pozitive që mund t’i bëni me 5G. Studentët në universitetin tuaj janë me të vërtetë të privilegjuar sepse ata mund të shohin edhe mundësi të tjera”, ka thënë ambasadorja e Ambasadës së Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall.

 

Përfaqësuesi nga kompania finlandeze e telekomunikacionit “Nokia”, David Pavlinic, tha se UBT pa pikë mëdyshje është institucioni i parë në rajon që po vendos rrjetin privat 5G, përderisa dha mbështetjen e plotë të kompanisë “Nokia” për UBT-në dhe Kosovën në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

 

“Rrjeti 5G është i rëndësishëm sepse po e zhvendos të gjithë industrinë, Qeverinë dhe të gjithë sektorët në epokën e digjitalizimit, në industrinë 4.0. Nokia është këtu për t’ju mbështetur dhe mezi po presim ta vazhdojmë bashkëpunimin me UBT-në dhe për ta mbështetur të gjithë Kosovën në epokën e digjitalizimit”, theksoi përfaqësuesi i kompanisë finlandeze të telekomunikacionit “Nokia”, David Pavlinic.

 

Nga Londra, profesori i UBT-së, Xhafer Krasniqi, për pjesëmarrësit e kësaj ceremonie, virtualisht ka bërë një prezantim të periudhës së implementimit të teknologjisë më të re të rrjeteve celulare pa tela në UBT, 5G.

 

Ai ka thënë se UBT vendosi rrjetin 5G për të shfrytëzuar aftësitë e kësaj teknologjie, për të lejuar studentët dhe studiuesit të testojnë dhe eksperimentojnë ide dhe zgjidhje të ndryshme kërkimore pa pasur nevojë për simulime dhe pa pasur nevojë të presin për vendosjen e plotë të rrjetit 5G.

 

Anëtarja e bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Rrezarta Duraku Rizaj, ka theksuar se iniciativat e tilla si të UBT-së promovojnë inovacion dhe ju ndihmojnë jashtëzakonisht shumë gjeneratave të reja të zhvillohen edhe më shumë profesionalisht në lëmin e teknologjive digjitale, pse jo edhe në fusha të tjera.

 

“Iniciativat e tilla promovojnë inovacion dhe ju mundësojnë gjeneratave të reja të shohin nga afër funksionimin e teknologjive më të reja në botë. Si përfaqësuese e ARKEP-it, mund të them se edhe ne e kemi dhënë një kontribut duke e lejuar përdorimin e brezeve frekuencore që janë të nevojshme për funksionimin e këtij laboratori, në përjashtim të brezit 700 mhz i cili është momentalisht i zënë nga shërbimet radiodifuzive”, ka thënë anëtarja e bordit të ARKEP, Rrezarta Duraku Rizaj.

 

Shefi i Kabinetit të Zyrës së Kryeministrit, Luan Dalipi, tha se zhvillimi i teknologjisë dhe inovacionit është e vetmja alternativë që ne si shoqëri kemi, dhe institucionet si UBT tregojnë se si duhet punuar në gjëra inovative pa pritur që qeveria t’i shtyejë ato para.

 

Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sporte, Ardian Gola, ka thënë se UBT është një nga kontribuuesit kryesor që i ka kthyer institucioneve të arsimit të lartë kulturën akademike, shkencore dhe inovative, përderisa ka vlerësuar lartë arritjen e implementimit të 5G, si një prej revolucioneve digjitale që pason revolucionin industrial dhe teknologjik.

 

Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Jahja Kokaj, në një fjalë rasti tha se arritja e sotme e Kosovës përmes UBT-së në teknologjinë 5G është shumë emocionale, duke falënderuar rektorin Hajrizi për angazhimin e tij të palodhshëm për të qenë të parët në regjion në teknologjinë e rrjeteve celulare pa tela 5G.

 

Me këtë arritje të jashtëzakonshme, UBT e fut në rangun e 20 inovacioneve të saj në 20-vjetorin e themelimit, njërën prej teknologjive më të sofistikuara të kohës, kështu duke krijuar hapësirë dhe mbështetje edhe më të madhe për të gjithë të rinjtë dhe të rejat novator, për të krijuar një shoqëri të dijes, që mbështetet në kërkim, zhvillim dhe inovacion.