UBT dhe UN Women bashkë për “Luftimin e dhunës me bazë gjinore në epokën e digjitalizimit” në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit

03/12/2024

UBT në bashkëpunim me UN Women Kosova, mbajtën eventin “Dhuna me Bazë Gjinore në Digjitalizim”, i cili u zhvillua me rastin e 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Ky aktivitet ishte pjesë e një përpjekjeje globale për të ngritur ndërgjegjësimin dhe për të promovuar veprime konkrete kundër dhunës që lidhet me gjininë, duke përfshirë aspekte të reja dhe të rëndësishme të dhunës që ndodhin në mjediset digjitale.

 Ky aktivitet i rëndësishëm u mbajt në UBT, një institucion i njohur për angazhimin e tij në promovimin e barazisë gjinore dhe përfshirjes sociale, që ka një traditë të fortë në mbështetje të iniciativave që përpiqen të fuqizojnë gratë dhe vajzat, duke ofruar mundësi për zhvillim të karrierës dhe arsimim.

Gjatë ngjarjes, ekspertë të fushave të ndryshme ndanë njohuritë dhe përvojat e tyre lidhur me ndikimin e teknologjisë digjitale në jetët e grave, veçanërisht në lidhje me dhunën digjitale dhe sigurinë online.

Disa nga folëset ishin, Teuta Sahatqija një udhëheqëse e shquar me përvojë të gjatë në politikë, diplomaci dhe teknologji. Ajo ka shërbyer si deputete, Zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Konsulle e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork. Aktiviste për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, ajo është bashkëthemeluese e “Women in Tech Kosovo” dhe “Women’s Parliamentary Caucus”.

Flutura Kusari një juriste e specializuar në të drejtën e medias dhe një aktiviste e angazhuar për lirinë e shprehjes. Ajo punon si këshilltare e lartë ligjore në Qendrën Europiane për Liri të Shtypit dhe Medias në Leipzig, Gjermani, ku mbështet gazetarët e rrezikuar dhe monitoron legjislacionin që rregullon sektorin e medias. Në vitin 2024, Flutura Kusari u nderua me Urdhrin e Meritave të Republikës Federale të Gjermanisë nga presidenti Frank-Walter Steinmeier për kontributin e saj të rëndësishëm.

Orkidea Xhaferaj, eksperte e Politikave të Digjitalizimit dhe Inovacionit pranë Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV), në Shqipëri, dhe njëkohësisht themeluese e Rrjetit të Grave Shqiptare në STEM.

Ejona Icka, Master në Psikologji Klinike dhe specializim në Mjekësinë Seksuale dhe Terapinë Familjare Sistemike. Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e shëndetit mendor, duke mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale, veçanërisht ata në grupet më të cenueshme, në kuadër të Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (KRCT) në Kosovë dhe profesoreshë në Fakultetin e Psikologjisë dhe Shkencave Mjekësore në UBT.

Ngjarja ishte strukturuar në formën e fjalimeve TEDx, ku çdo folës ndau eksperiencën dhe ekspertizën e tij në lidhje me sfidat që gratë dhe vajzat hasin në internet, si dhe mundësitë për të luftuar dhunën digjitale. Pjesëmarrësit kishin mundësinë të merrnin pjesë në një sesion pyetje-përgjigje, ku ata mund të diskutonin më thellë me folësit dhe të shprehnin shqetësimet dhe sugjerimet e tyre.

Aktiviteti përfundoi me thirrje për të angazhuar çdo individ, si në nivel institucional ashtu edhe personal, për të kontribuar në zgjidhjen e këtij problemi të rëndësishëm, duke krijuar hapësira digjitale më të sigurta, ku gratë dhe vajzat mund të shprehin lirinë e tyre pa frikë nga dhuna dhe abuzimi.

Në fjalimet e tyre, folëset theksuan disa aspekte kyçe që lidhen me sfidat dhe mundësitë që sjell digjitalizimi për gratë. Së pari, nënvizuan “ana e errët e digjitalizimit”, e cila paraqet rreziqe të mëdha për gratë dhe vajzat, duke përfshirë forma të ndryshme dhune online, që pengojnë mundësinë e tyre për të marrë pjesë plotësisht në hapësirat digjitale. Po ashtu, theksuan se fuqizimi dhe siguria shkojnë dorë për dore, dhe se teknologjitë digjitale mund të jenë mjete të fuqishme për avancimin e grave, por është thelbësore që këto hapësira të jenë të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe pa dhunë. Mbrojtja ligjore dhe avokimi u identifikuan gjithashtu si elementë kyç për të luftuar dhunën online, duke përfshirë nevojën për ligje më të forta, forcim më të mirë të tyre dhe sisteme mbështetëse për viktimat.

Në përfundim të fjalimeve, folëset kërkuan bashkëpunim dhe inovacion për të arritur objektivat e përbashkëta. Ato theksuan se bashkëpunimi dhe inovacioni janë thelbësore për të krijuar hapësira më të sigurta për gratë në internet. Sipas tyre, krijimi i këtyre hapësirave kërkon përpjekje të përbashkëta nga rinia, aktivistët, politikanët dhe ekspertët. Ato inkurajuan të pranishmit të angazhohen për të drejtat digjitale, barazinë gjinore dhe politika më të mira që mbrojnë gratë dhe vajzat në mjediset digjitale.

Përfundimi i ngjarjes ishte një thirrje për veprim, duke inkurajuar pjesëmarrësit që të përdorin atë që kishin mësuar për të bërë një ndryshim të vërtetë. Ata u ftuan të qëndrojnë të informuar për rreziqet që gratë përballen online dhe si mund të mbrojnë veten dhe të tjerët. U kërkua mbështetje për nismat që luftojnë dhunën digjitale dhe avokim për politika që promovojnë sigurinë digjitale dhe barazinë gjinore. Po ashtu, u theksua rëndësia e integrimit të edukatës digjitale në shkolla, krijimit të mekanizmave të qasshëm për raportimin e dhunës dhe përmirësimit të ligjeve që mbrojnë gratë online.

Në këtë drejtim, folëset propozuan disa hapa të tjerë për të krijuar një ambient më të sigurt dhe gjithëpërfshirës për gratë dhe vajzat. Ato kërkuan komunikim të rritur mes prindërve, mësuesve dhe institucioneve për të sensibilizuar më shumë rreth mundësive dhe rreziqeve të mjediseve digjitale. Përveç kësaj, u kërkua fuqizimi i organizatave jo-qeveritare (OJQ) dhe kampanjave të vetëdijesimit që promovojnë sigurinë online dhe mbështetje për viktimat e dhunës digjitale. Shteti gjithashtu u nxit të marrë përgjegjësi më të madhe në krijimin e politikave që mbrojnë gratë në internet, ndërsa pjesëmarrësit u inkurajuan të educojnë veten dhe të tjerët për t’i bërë hapësirat digjitale më të sigurta dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë.

Në përfundim të ngjarjes, u bë një thirrje e fuqishme për veprim kolektiv, për t’u angazhuar të gjithë në krijimin e një të ardhmeje digjitale ku gratë dhe vajzat mund të zhvillohen pa frikë dhe të realizojnë potencialin e tyre të plotë.

Dionesa Ebibi