UBT dhe Shoqata Austriake-Kosovare organizuan konferencën “Dita Financiare Austriake-Kosovare për hipotekat 2015”
19/06/2015Funksionimi i tregut të hipotekave në Kosovës ishte tema bosht e diskutimeve në kuadër të konferencës “Dita Financiare Austriake-Kosovare për hipotekat 2015”, organizuar nga UBT dhe Shoqata Austriake-Kosovare, e cila mblodhi ministra, zyrtarë shtetërorë, përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë e profesionistë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Çështja e hipotekave në Kosovë, e përcjellë me probleme ligjore, por edhe probleme të tjera të funksionimit të përgjithshëm të sistemit, është një nga temat kyçe në zhvillimin e përgjithshëm të vendit dhe në funksionimin e një varg institucionesh.
Gunther Fehlinger, President i Shoqatës Austriake-Kosovare dhe moderator i konferencës, e quajti temën e shtruar për diskutim si një temë shumë të rëndësishme dhe sfiduese në kohën tonë.
Ndërsa, rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, e konsideroi konferencën shumë të rëndësishme, për faktin se lidhet direkt me elementet e zhvillimit ekonomik në Kosovë.
Ai theksoi se në UBT kjo temë diskutohet mjaft shumë, sikur edhe çështjet e hulumtimit, projekteve të ndryshme, bashkëpunimet ndërkombëtar etj.
“Një event me vlerë, një debat i hapur, një mundësi e mirë që studentët të informohen më shumë për çështjet e financave, që t’i ndërlidhin politikat sa më të mira në jetën e tyre”, tha dr. Hajrizi.
Një nga folësit në konferencë, drejtori i Raiffeisen Bank, Robert Wright, theksoi se rregullimi i çështjes së banimit është çështje primare e jetesës.
Sipas tij, tema e hipotekave është me interes për të gjithë, jo vetëm për sistemin bankar, por sjell shumë përfitime edhe për ekonominë e Kosovës dhe për shoqërinë në përgjithësi.
Ai e quajti me shumë interes ligjin mbi pronën private. “Nuk është vetëm dhënia e hipotekës por kjo dhënie të bëhet sipas ligjit dhe parimeve etike të punës”, tha ai.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza tha se ekonomia është top-prioritet për shtetin dhe një fushë në të cilën duhet bërë përmirësime.
Ai theksoi se Kosova ka një sistem bankar profitabil, por në të cilin ende ka ngecje. Gjithashtu, ai theksoi se tregu i kredive dhe i hipotekave nuk është shumë i zhvilluar.
Hamza theksoi se pikë e fortë e bankës është edhe bashkëpunimi me bankat e tjera, që është çështje kryesore për hipotekat, duke shtuar se përmes rregulloreve të reja janë respektuar dhe janë vlerësuar regjistrimet e hipotekave të banimit.
Megjithatë, ai theksoi se bankat kanë probleme kur duan të shesin hipotekat, që nga rasti kur blerësi mund të ketë ndonjë mesazh që e pengon atë transaksion, pastaj evidencimi i pronave, shitja e tyre e të tjera.
Hamza vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare dhe ndihmën që ata japin në rregullimin e fushës së hipotekave në vendin tonë.
Murat Hoxha nga Komisioni për Planifikim Hapësinor dhe Ambient, përmendi Ligjin për kadastër dhe Ligjin për hipotekat, si bazë për rregullimin e çështjeve në fushën e hipotekave. Ndër të tjera, ai tërhoqi vërejtjen se hipotekat patjetër duhet të regjistrohen dhe për këtë regjistrim informacionet kadastrale duhet të jenë të sakta dhe të plota.
Ndërsa Jakup Fetai, përfaqësuesi i kadastrës në Maqedoni, paraqit përvojat në këtë fushë në shtetin prej nga vjen. Ai e konsideron të rëndësishëm regjistrimin e vlerave të hipotekës, sepse sa më shumë regjistrime, aq më shumë ka mundësi për hipotekë, ngase nëse nuk bëhen regjistrimet mund të dalin probleme në sektorin shtetëror dhe privat.
Përfaqësuesja e Odës Ekonomike Austriake që vepron në Kosovë në kuadër të Ambasadës Austriake, Vjosa Huruglica, foli në konferencë lidhur me investimet austriake në Kodovë.
Ajo tha se Austria është shteti i gjashtë për nga vlera e investimeve në Kosovë, por theksoi se investimet e kompanive austriake në Kosovë janë shumë më të vogla në krahasim me investimet në vendet e rajonit.
Megjithatë, Huruglica theksoi se ka një interesim të shtuar të kompanive austriake për investime në Kosovë. “Sipas të dhënave që kemi nxjerrë deri në fund të vitit 2013, kemi pasur rreth 110 kompani që kanë shprehur dëshirën të jenë pjesë e bizneseve në Kosovë apo të investojnë në Kosovë. Shumica e kompanive janë optimiste dhe planifikojnë të rrisin investimet duke shtuar kështu edhe numrin e punëtorëve”, tha Huruglica.
Ferid Agani, Ministër i Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, foli për rëndësinë e procesit të regjistrimit të pronave në Kosovë.
Sipas tij, në kushtet dhe rrethanat që ndodhet Kosova, është e domosdoshme që të investohet në mjedis dhe në regjistrim të pronave.
Ai e konsideron vitin 2015 si vit shumë të mirë, duke marrë parasysh se është bërë një arritje e veçantë në muajt e fundit. “Në mars të vitit 2015, kemi pasur shumë regjistrime dhe gradualisht është fituar besimi i qytetarëve dhe janë bindur se pronat e tyre duhet të regjistrohen, sepse është e vetmja mënyrë që ato të sigurohen”, tha ministri Agani, i cili gjithashtu vlerësoi përkrahjen ndërkombëtare, sidomos atë nga SHBA, në këtë proces të rëndësishëm për vendin tonë.
Ndërkohë, Eljesi Surdulli, kryetar i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovë, theksoi se procesi administrativ i regjistrimit të pronës duhet të përshpejtohet, por edhe të lehtësohet.
“Mendoj se nuk duhet të kërkohen aq shumë dokumente sa kërkohen tani, sepse po vështirëson punën e regjistrimit”, tha Surdulli.
Gent Sejdiu, një ndërmarrës i suksesshëm, përfaqësues i Kosova Reality Group, theksoi se tregu i Kosovës ka nevojë për punë dhe për zhvillim, duke u shprehur optimist për investimet kapitale.
Sipas tij, kur klienti e kryen detyrimin menjëherë, atëherë prona automatikisht kalon në emër të tij, pa asnjë problem.
Në konferencë ka folur edhe Arbena Shehu, e cila elaboroi funksionimin e shërbimit të Noterisë në Kosovë, një shërbim relativisht i ri në vendin tonë, por një segment shumë i rëndësishëm dhe me peshë edhe për çështjen e hipotekave.
“Noteri për më tepër është një garanci ligjore për palët e treta që futen në këtë biznes të shitjes së pronës dhe më pas regjistrimit të saj. Regjistrimi në formë korrekte dhe të saktë i pronës është përgjegjësi që noteri ka kryer punën e sigurisë si asaj civile po ashtu edhe asaj fizike”, tha znj. Shehu.
Në konferencë u paraqitën edhe folës të tjerë, si dhe u zhvillua një debat i gjerë në temën e shtruar për diskutim.