UBT dhe QKRMT organizuan ligjëratë për shënimin e fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës në Baza Gjinore”
29/11/2024UBT dhe Qendra për Resurse dhe Mbrojtje të Mbrojtjes nga Dhuna (QKRMT) kanë organizuar një ligjëratë me rastin e shënimit të fushatës ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës në Baza Gjinore”. Ky aktivitet synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të nxisë diskutimin mbi rëndësinë e parandalimit dhe luftimit të dhunës në baza gjinore, e cila mbetet një problem i thellë në shoqëri. Ky aktivitet u shënua me studentët e Fakultetit të Psikologjisë të UBT-së dhe kishte si qëllim ngritjen e ndërgjegjësimit për efektet afatgjata të traumës së shkaktuar nga dhuna seksuale e lidhur me konfliktet.
Ligjërata, e cila mblodhi një numër të konsiderueshëm studentësh dhe pedagogësh, u fokusua në pasojat shkatërruese të dhunës seksuale gjatë luftës, duke nxjerrë në pah ndikimin e këtyre përvojave traumatike në individë dhe shoqëri. Pjesëmarrësit shfaqën kureshtje për këtë temë, duke e konsideruar shumë të rëndësishme sensibilizimin brenda akademisë dhe përpjekjet për të kuptuar më mirë përvojat e viktimave dhe pasojat e vazhdueshme të traumës.
Gjatë aktivitetit, u shfaq gjithashtu një videoincizim me fjalimin e Venesa Sulemanit, një e mbijetuar sekondare e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Venesa ndau përvojën e saj, duke folur për sfidat e përballjes me traumat dhe rëndësinë e thyerjes së stigmatizimit. Fjalimi i saj guximtar shërbeu si një thirrje për mbështetje dhe solidaritet me të mbijetuarit, duke theksuar nevojën për veprim të përbashkët për të përballuar të kaluarën dhe për të parandaluar dhunën në të ardhmen.
Ky aktivitet i organizuar nga UBT QKRMT ishte një hap i rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e brezit të ri për ndikimet e dhunës seksuale në pasluftë dhe rëndësinë e mbështetjes së të mbijetuarve.