UBT dhe “Miqtë e Amerikës” shënuan 69-vjetorin e lindjes së Presidentit Bill Klinton

19/08/2015

Në një ceremoni të organizuar sot nga UBT dhe Shoqata “Miqtë e Amerikës”, u shënua 69-vjetori i lindjes së Presidentit të SHBA-së, Bill Klinton.


Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi theksoi fillimisht se shënimi i ditëlindjes së Presidentit Bill Klinton ëshë një shenjë falënderimi dhe respekti për punën e tij, lidershipin e tij politik, në aspektin e paqes ndërkombëtare, por në veçanti për atë që Klintoni por edhe SHBA kanë bërë për Kosovën. Kjo na ka mundësuar që sot të kemi institucione të arsimit të lartë dhe të zhvillohemi edhe më tutje. Falë një kontributi shumë të madh, një vendosmërie që Presidenti Klinton e ka pasur në kohët më të vështira për ne.

 

Dita e lindjes e Presidentit Klinton është një ditë në të cilën ne takohemi dhe përkujtojmë me falënderim gjithë atë që SHBA ka bërë për Kosovën, tha ai, për të shtuar  se do të jemi mirënjohës për kohën paraprake dhe për lirinë e kontributin e tij për zhvillimin e Kosovës.

 

Më tej rektori Hajrizi se edhe UBT është ndihmuar nga SHBA-ja. “Na kanë ndihmuar në shumë raste për zhvillimin e programeve të reja, në ndërtimin e qendrave të ndryshme. Sivjet kemi pasur shumë përkrahje sidomos në ndërtimin e inkubatorit virtual të Kosovës, që është risi, në ndërtimin dhe Librarisë më të madhe të arsimit të lartë në Kosovë, e shumë e shumë raste të tjera, falë bashkëpunimit dhe kontributit të popullit të SHBA-ve”, tha prof. dr. Hajrizi.


Në vazhdim, Agim Rexhepi, kryetar i Shoqatës “Miqtë e Amerikës” falënderoi rektorin Hajrizi dhe UBT-në për përkrahjen e vazhdueshme të nismave të kësaj shoqate dhe sidomos për përkrahjen pa hezitim të manifestimit të shënimit të ditëlindjes së 69-të të Presidentit Klinton.


“Këtë vit kemi dashur që ta thejmë klishenë duke e organizuar këtë takim në një institucion si UBT-ja, pasi që vite me radhë kjo ditë është shënuar në rrugë, nëpër komuna të caktuara, me institucione komunale, ndërsa tani radhën e ka institucioni arsimor, sepse e ardhmja e këtij vendi është rinia, e ardhmja është arsimimi. Me këtë rast kemi gjetur shumë përkrahje nga Edmond Hajrizi dhe këtu kemi gjetur shumë mirëkuptim dhe suksese në UBT, me  sukseset në gara kombëtare dhe ndërkombëtare”, theksoi z.Rexhepi.


Z.Rexhepi përmendi edhe faktin se me ndërmjetësimin e shoqatës që ai drejton po ndërtohet një shtëpi për një familje në fshatin Konjuh, e cila do të jetë së shpejti e gatshme për familjarët.

“Do të isha ndalur te një fjali e Presidentit Bill Clinton, i cili thotë se gjatë tërë jetës time do të punoj për Kosovën. Presidenti është shumë mirënjohës për të arriturat e Kosovës dhe ai e thekson se ardhmëria e Kosovës është rinia. Ne do t’i dërgojmë urime dhe fotografi duke dashur që t’i tregojmë se edhe ne jemi falënderues. Ai ka qenë i njoftuar për këtë ngjarje”, theksoi në fund z.Rexhepi.