UBT dhe Idromeccanica Lucchini bashkojnë forcat për zhvillimin e agrikulturës së mençur në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor

29/08/2024

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi vizitoi kompaninë e njohur italiane Idromeccanica Lucchini, dhe me këtë rast ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me udhëheqësit e kësaj kompanie, marrëveshje kjo e cila parasheh krijimin e një platforme të përbashkët për përkrahjen e agrikulturës moderne në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Bashkëpunimi do të përfshijë shumë komponentë të agrikulturës moderne, sikurse: serrat, serrat vertikale, sisteme të ujitjes, ndriçimit, mbrojtjes, përdorimin e teknologjive moderne robotike, Internet of Things (IoT), inteligjencës artificiale, si dhe teknologjinë e dronëve.

Ky bashkëpunim strategjik mes UBT-së dhe Idromeccanica Lucchini do të sjellë përfitime të mëdha për zhvillimin e Kosovës, duke hapur rrugë për projekte të rëndësishme në agrikulturë dhe sektorë të tjerë. UBT, me infrastrukturën e saj moderne dhe inovative në bujqësi dhe teknologji ushqimore, së bashku me Idromeccanica Lucchini, do të krijojë një qendër lidere në rajon dhe me impakt të madh.