UBT certifikon 10 kandidatë për Cicëronë Turistikë

24/05/2018

Në UBT është mbajtur trajnimi për guida turistike, trajnim ky që ka për qëllim certifikimin e kandidatëve për “Cicëronë Turistikë”. Dhjetë kandidatë që kishin aplikuar për këtë trajnim janë nga Kompania Turistike “Air Prishtina”, të cilët u certifikuan pas përfundimit të suksesshëm të trajnimit.

Për të marrë titullin “Ciceronë Turistikë”, ata vijuan gjithsej 120 orë, prej të cilave, 100 orë u organizuan ligjërata teorike dhe 20 orë praktikë në teren.

Gjatë këtij trajnimi janë zhvilluar modulet me tema: Bazat e Turizmit, Karakteristikat e Kërkesave Turistike, Ciceroni Turistik, Elementet e produktit turistik, Arti dhe Kultura, Teknikat e Prezantimit, Trendët e Zhvillimit botëror të turizmit dhe vendi i Kosovës në ketë sferë etj.

Derisa, orët praktike janë organizuar në pikat turistike siç janë: Prekazi, Istogu, Peja, Deçani, Juniku, Gjakova etj.

Në fund të trajnimit kandidatët kishin për detyrë të punojnë pakot e tyre turistike, ku janë prezantuar para panelit të profesorëve. Këto pako turistike janë vlerësuar të vlefshme dhe kualitative dhe si të tilla janë shpërblyer me certifikata.