UBT bëri hapjen solemne të Qendrës për Lidership

07/06/2023

Në një ceremoni solemne, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, u bë hapja e Qendrës për Lidership, një inovacion i rëndësishëm në fushën e arsimit të lartë me synim për ndërtimin e kapaciteteve të lidershipit në sektore të ndryshëm në Kosovë, rajon dhe më gjerë duke ju ofruar individëve dhe organizatave mekanizma për të zhvilluar strategji veprimi.

Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi hapjen e Qendrës për Lidership si një hap të rëndësishëm drejt arsimit të lartë modern dhe inovativ në vend. Ai theksoi se kjo qendër do të ofrojë mundësi të jashtëzakonshme për studentët dhe të rinjtë për të zhvilluar aftësitë e tyre dhe për të ndikuar pozitivisht në përparimin e shoqërisë.

“Kjo Qendër është me fokus për lidership, është në vij të plotë me vizionin e UBT-së që lidhet me lidershipin dhe inovacionin. Do të shërbejë shumë mirë si një hap për mundësi të reja. Do të krijojmë një do te promovojmë një benefit shume te mire për Kosovën. Dëshirojmë që përmes partneriteteve të tanishme dhe të ardhshme me industri të fuqishme botërore të ofrojmë perspektiva të reja, si dhe t’i përfshijmë ato për të krijuar politika të mira dhe për të shtyrë procese përpara”, u shpreh rektori Hajrizi.

Përfaqësuesi i Zyrës së Presidencës, Vehbi Miftari, përcolli përshëndetjet dhe mirënjohjen e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, për hapjen e Qendrës për Lidership në UBT. Ai u shpreh se Kosova ka nevojë për liderë të rinj të aftë që të marrin përgjegjësi për vendin në një mënyrë pozitive dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm social, ekonomik dhe politik.

“Po hapni edhe një dritare të re me synimet tuaja si institucion i cili ka një peshë të madhe për zhvillimin e arsimit në Kosovë. Është një qendër e mundësive të shumta për zhvillim. Ne e shohim UBT-në si një faktor të rëndësishëm që vazhdon të jap kontribut në zhvillimin dhe përparimin e arsimit dhe edukimit në Kosovë. Hapja e një Qendre të tillë krijon mundësi për zhvillim të qëndrueshëm, duke e ditur se UBT ka një infrastrukturë të modernizuar, por edhe përshkak që është pjesë e rëndësishme e rrjetit të universiteteve ndërkombëtare”, tha Miftari.

Profesori Faton Limani, një pedagog i apasionuar në aplikimin e kornizës të lidershipit adaptiv dhe soft-skills të ndryshme në të gjithë sektorët, foli në lidhje me vizionin dhe synimin e kësaj qendre. Ai theksoi se liderët nuk lindin, por mësohen dhe kjo qendër do të përqendrohet në përgatitjen e liderëve të rinj, duke u fokusuar në zhvillimin e aftësive të tilla si komunikimi, menaxhimi i kohës, ekipi dhe inovacioni.

“Kjo ngjarje shënon një moment të rëndësishëm për zhvillimin e kapaciteteteve të lidershipit në Kosovë, rajon dhe më gjerë. Individët dhe organizatat operojnë në një mjedis që ndryshon në një mënyrë konstante. Ata përballen me sfida të ndryshme, si në nivelin lokal, regjional dhe global. Për t’u përballur me këto sfida nevojitet më shumë se kurrë aftësi lidershipi. Përmes kësaj qendre do të kemi mundësi të bashkërendojmë kornizat, modelet dhe përvojat, për t’ju ofruar ndihmë individëve dhe organizatave, për t’u përballur me sfida komplekse”, potencoi Limani.

Me hapjen e Qendrës për Lidership në UBT, Kosova bën një hap të rëndësishëm drejt të ardhmes së edukimit të lartë dhe zhvillimit të liderëve të ardhshëm. Ky projekt shënon një investim të rëndësishëm në formimin e brezave të rinj, që do të kenë potencialin për të ndikuar pozitivisht në rrugën e ardhshme të vendit. Përmes krijimit të një mjedisi stimulues dhe inovativ, Qendra për Lidership në UBT do të bëjë ndryshimin që është i domosdoshëm për të krijuar një shoqëri më të zhvilluar dhe të qëndrueshme.