UBT bashkëorganizatore e Konferencës së Pestë Ndërkombëtare

12/06/2014

Prishtinë, 12  qershor  2014-  Departamenti Matematikë, Statistikë dhe Informatikë në kuadër të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës (UT),   për herë të pestë organizoi konferencën dyditore shkencore në nivel ndërkombëtar me temën “Sistemet e Informacionit  dhe Teknologjitë inovative  drejt një ekonomie digjitale”. Konferenca u organizua  nën patronazhin e Akademisë të Shkencave të Shqipërisë, bashkëorganizatorë UBT,  dhe u mbajt në kryeqendrën e Republikës së Shqipërisë, Tiranë. 

 

Përveç krerëve të të  tria institucioneve organizatore, si presidenti i UBT-së,  prof. dr. Edmond Hajrizi, rektori i  Universitetit të Tiranës (UT), Dhori Kule,  dhe  kryetar i Akademisë së Shkencave (ASHK), Gudar Beqiraj, në hapjen solemne morën pjesë edhe përfaqësues të lartë të Republikës së Shqipërisë,  ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj.Milena Harito, etj.

 

Duke përshëndetur konferencën, dr. Hajrizi  vlerësoi lart bashkëpunimin midis institucioneve shkencore të të dyja shteteve, bashkëpunimi i cili duhet të intensifikohet edhe më tej, në mënyrë që të shkëmbehen përvojat dhe të arrihen rezultate edhe më të mëdha në hulumtimet dhe inovacionet shkencore, në mënyrë që studentët dhe ekspertët shqiptarë nga të dy shtetet të ecin krahas kolegëve të tyre nga shtetet më të zhvilluara botërore në fushën e ekonomisë dhe teknologjisë.

 

Kurse prof. dr. Kozeta Sevrani, organizatore e Konferencës dhe përgjegjëse e Departamentit Matematikë, Statistikë dhe Informatikë e Zbatuar në UT, përveç që i përshëndeti të pranishmit falënderoi edhe partnerët dhe sponsorët e kësaj konference, akterë të njohur të tregut shqiptar, të cilët me dashamirësinë e tyre ofruan mbështetjen e tyre për zhvillimin e kësaj konference .

 

Ministrja Harito përveç tjerave foli për projektet e MIAP dhe Qeverisë, u ndal në një projekt madhor si ai i reformës së shërbimeve publike, duke i bazuar ato në dixhitalizim dhe inovacion, dhe  shpjegoi se ky projekt është një reformë  e rëndësishme ligjore dhe strukturore e funksionimit të administratës. 

 

Presidenti i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi,  udhëhoqi  edhe  sesioni “Emerging Technologies”,  si dhe ka prezantuar dy punime shkencore.

 

Për dy ditë  më radhë   në konferencë  u mblodhën një numër i madh i  pedagogëve, studiuesve dhe ndërmarrjeve të fushës së  dhe IT-së nga shumë vende  të rajonit dhe Evropës.  Janë paraqitur mbi 170  punime shkencore, dhe u kumtuan në disa sesione paralele  gjë që i dha  konferencës një karakter shumë të rëndësishëm me peshë shkencore. Paraqitësit e kumtesave, përveç nga Shqipëria dhe Kosova, ishin edhe nga  shtete e shumta të Evropës.