UBT anëtarësohet në Asociacionin Evropian të Fakulteteve të Drejtësisë (ELFA)
26/02/2018Pas një pune intensive në fushën e juridikut, Fakulteti Juridik i UBT-së është bërë anëtar me të drejta të plota në Asociacionin Evropian të Fakulteteve të Drejtësisë (ELFA).
Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, tha se anëtarësimi i UBT-së në këtë organizatë është një hap dhe arritje e madhe jo vetëm për institucionin, por edhe për Kosovën, pasi në këtë mënyrë do të jetë i mundur angazhimi dhe ndikimi në zhvillimet në fushën e drejtësisë.
“UBT veçse është pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare për fusha të ndryshme, por ky anëtarësim ka një vlerë të madhe pasi drejtësia është një fushë që vazhdimisht ka nevojë për zhvillim dhe përkrahje, andaj tash e tutje, kjo do të ofrohet përmes Fakultetit Juridik në UBT, në aspektin e përgatitjes së juristëve të denjë të së ardhmes”, potencoi Hajrizi.
ELFA u themelua në vitin 1995 në Leuven të Belgjikës, nga më shumë se 80 fakultete të drejtësisë të universiteteve të ndryshme anembanë Evropës.
Organizata momentalisht ka më shumë se 200 anëtarë nga vende brenda dhe jashtë BE-së dhe vepron si një forum ndërkombëtar për diskutimin e shumë temave ligjore lidhur me arsimin ligjor.
Qëllimi i aktiviteteve të ELFA-s është koordinimi i procesit të reformimit të arsimit ligjor në Evropë, prezantimi i temave të reja, promovimi i bashkëpunimit midis universiteteve në Evropë. Aktualisht, fokusi më i rëndësishëm i aktiviteteve të ELFA-s është reformimi i arsimit ligjor në Evropë.