UBT anëtarësohet në “European University Association”
17/03/2021UBT është bërë pjesë e “European University Association” (EUA), kështu duke fuqizuar edhe më shumë ndërkombëtarizimin e Kosovës jashtë vendit.
Rektori i UBT-së prof.dr. Edmond Hajrizi ka thënë se anëtarësimi i UBT-së në këtë shoqatë është një vlerë e madhe për Kosovën, pasi që UBT gjithmonë ka qenë një zë i fuqishëm i Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Anëtarësimi i UBT-së në EUA është një lajm shumë i mirë jo vetëm për ne por për gjithë vendin, pasi që UBT gjithmonë ka qenë një përfaqësues i denjë dhe zë i fuqishëm i Kosovës në arenën ndërkombëtare, gjithnjë me punë dhe përkushtim”, ka thënë rektori Hajrizi.
Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me një sërë organizatash të tjera evropiane dhe ndërkombëtare, EUA siguron që zëri i pavarur i universiteteve evropiane të dëgjohet.
UBT përmes këtij rrjeti bashkëpunimi me universitetet evropiane do të ketë mundësi që të shkëmbejë përvoja në fushën e arsimit universitar, hulumtimit, dhe inovacionit.
“European University Assocation” (EUA) përfaqëson më shumë se 800 universitete dhe konferenca kombëtare të rektorëve në 48 vende evropiane. Anëtarët e kësaj shoqate janë universitete evropiane të përfshira në mësimdhënie dhe hulumtime shkencore, shoqata kombëtare të rektorëve, si dhe organizata të tjera aktive në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.