U zhvillua Akademia Verore 2015 në fakultetin e Sistemeve të Informacionit në UBT

27/07/2015

27 korrik. – Në fakultetin e Sistemeve të Informacionit (SI) në UBT u mbajt Akademia Verore SI 2015 ku morën pjesa studentë nga ky fakultet dhe studentë tjerë të interesuar.

Akademinë verore e hapi dekani, Dr. Ylber Limani, duke i përshëndetur studentët pjesëmarrës dhe profesorët si dhe folësit mysafirë.

 

Sistemet e Informacionit janë bërë nevojë e secilit biznes, e secilit institucion, e secilit komunitet, e secilit vend, duke marrë parasysh se vet informacioni është bërë nyja më e rëndësishme e rrjetit global të komunikimit në biznes dhe në politikë. Kjo na bën të ndihemi mirë që ne jemi pjesë e botës së sistemeve të informacionit, pjesë e së ardhmes, por edhe na obligon që të jemi njohës të denjë të koncepteve, të dukurive dhe të rrjedhave të përgjithshme nga bota e SI, theksoi dekani Limani. Kjo akademi, shtoi ai, ndër të tjera, kishte për qëllim prurjen e njohurive të reja, njohjen me konceptet më bashkëkohore dhe më të ndryshme nga bota e menaxhimit të sistemeve të informacionit.

 

Në këtë akademi u diskutuan tema nga fushat aktuale të SI, siç janë GIS (Geo-Information Systems), E- Health, Siguria e të dhënave, Siguria Kibernetike, Modelet e Ndërmarrjes në SI, Standardet e Sigurisë në SI, etj. Të gjitha këto tema paraqesin format dhe modelet e kërkesave të reja nga bota e biznesit, e ekonomisë, e arsimit, e sigurisë, e shëndetësisë dhe e politikës. Prandaj, pasurimi i studentit me njohjen e definimeve, të praktikave dhe të aplikacioneve të ndryshme nga fusha e fushat e ndrysmë të SI, ishte synim strategjik dhe arritje kulminante e akademisë.

 

Ligjëruesit ishin ekspertë nga fushat e ndryshme të SI, nga Industritë dhe Institucionet e ndryshme si dhe profesorë të Fakultetit. Nuk mungoi edhe interaktiviteti i studentëve duke prezantuar projekte të ndryshme aplikative nga fusha të ndryshme të SI.