U nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes UBT-së dhe IGjK-ës
17/06/201317 qershor 2013- Me qëllim të zhvillimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në pajtim me qëllimet dhe interesat e përbashkëta, presidenti i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorin e Institutit Gjyqësor të Kosovës, Mr.sc. Lavdim Krasniqi.
Kjo marrëveshje e dëshmon qëllimin e të dy institucioneve që të fillojnë dhe zhvillojnë bashkëpunim të ndërsjellët në procesin e edukimit dhe punën kërkimore-shkencore.
Po ashtu marrëveshja parasheh se dy institucionet do të marrin pjesë në programet arsimore dhe shkencore, do të angazhohen të realizojnë projekte kërkimore-shkencore me interes të përbashkët, konferenca shkencore, simpoziume, seminare, punëtori profesionale.
Po ashtu, do të shkëmbejnë libra, revista, publikime dhe literaturë shkencore me interes të përbashkët, si dhe shkëmbimin e përvojave, dhe krijimin e hapësirave që studentët e UBT-së të realizojnë aktivitete praktike në IGJK.
Presidenti i UBT, dr. Hajrizi, pas nënshkrimit të marrëveshjes theksoi se UBT ka qenë gjithherë aktive në ofrimin e mundësive për të ndihmuar dhe zhvilluar të gjitha institucionet vendore , duke e dhënë kontributin nga ana shkencore dhe profesionale, me anë të stafit akademik dhe infrastrukturorë.
Sipas krerëve të të dyja institucioneve, ky ishte vetëm hapi i parë në rrugën e një bashkëpunimi të mirëfilltë dhe afatgjate për të ardhmen.