Zhvillim dhe Urbanizëm

Planifikimi urban është një forcë e vlefshme për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm. Është një mjet për të sjellë ndryshimin; Planifikimi ndihmon për të shfrytëzuar racionalisht buxhetet komunale  për investime në infrastrukturë dhe shërbime, duke balancuar kërkesat për rritje me nevojën për të mbrojtur mjedisin. Mundëson zhvillimin ekonomik brenda një territori të caktuar për të arritur objektivat sociale dhe krijon një kornizë për bashkëpunim midis qeverive lokale, sektorit privat dhe publikut në përgjithësi. Më tej, është një kornizë që ndihmon udhëheqësit të zbatojnë vizionet e tyre, duke përdorur hapësirën si një burim kryesor për zhvillimin dhe angazhimin e të gjitha palëve të interesit.

 

Edukimi formal i planifikimit urban, i cili ka një histori mbi një shekull, është formësuar nën ndikimin e ndryshimit të vazhdueshëm të paradigmave në teorinë sociale, përgjatë procesit historik. Në këtë kontekst, edukimi i sotëm mbi planifikimin urban e hapësinor ka kaluar nëpër ndryshime rrënjësore që shtojnë dimensione të reja në diskutimet shkencore, teknike, teorike e praktike në këtë fushë.

 

Meçë institucionet e arsimit të lartë kanë rolin kryesor për edukimin në fushën e planifikimit, programet e shumë institucioneve të tilla janë analizuar në mënyrë të detajizuar. Në këtë kontekst, janë analizuar modelet dhe qasjet të cilat këto institucione i praktikojnë dhe këto qasje e modele janë reflektuar edhe në këtë program. Mirëpo, programi ynë, përveç që është frymëzuar nga praktikat e institucioneve tjera të arsimit të lartë, ai në masë të madhe bazohet në nevojat lokale.

 

Edukimi mbi Planifikimin është një praktikë e mësimit dhe mësimdhënies në  teori urbane, studime si dhe praktika profesionale. Ndërveprimi midis zyrtarëve publik, planifikuesve profesionistë dhe publikut përfshin një edukim të vazhdueshëm mbi procesin e planifikimit. Anëtarët e komunitetit shpesh shërbejnë në një komision të planifikimit të qytetit, këshill ose bord. Në këtë kontekst, qasja në edukimin mbi planifikimin është një cikël i vazhdueshëm.

 

Ndërsa planifikimi urban është një fushë kaq e gjerë dhe ndërdisiplinore, një program studimor tipik i planifikimit thekson gjerësinë në raport thellësinë, me lëndët thelbësore që sigurojnë sfond për të gjitha fushat e planifikimit. Kurset kryesore zakonisht përfshijnë lëndët mbi Histori/Teori të planifikimit urban, Dizajn Urban, Statistikë, Legjislacioni për Planifikim, Ekonomi Urbane, Zhvillim të Qëndrueshëm dhe praktikë planifikimi. Shumë programe të studimit mbi planifikimin gjithashtu lejojnë studentët të fokusohen në një zonë specifike të interesit brenda planifikimit, të tilla si: Destinimi i Sipërfaqeve, Planifikimi i Mjedisit, Banimi, Zhvillimi i Qëndrueshëm i Komunitetit, Zhvillimi Ekonomik, Ruajtja e Trashëgimisë, Dizajni Urban, Planifikimi i Transportit, ose Sistemet e Informacionit Gjeografik (GIS). Disa programe lejojnë studentët të përqëndrohen edhe në fushën e Pasurive të Paluajtshme, megjithatë, në disa vende kjo fushë mund të studiohet edhe si program i veçantë studimor.

Andaj; Misioni i programit Zhvillim dhe Urbanizëm është të bëjë promovimin e praktikave më të mira në fushën e Urbanizmit, Planifikimit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, bazuar në kërkesat aktuale në nivelin lokal dhe rajonal.