Studentët e UBT-së vizituan fabrikën “VIPA Chips”

05/04/2017

Studentët e vitit të parë në Fakultetin e Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT, kanë vizituar fabrikën “VIPA Chips”, si pjesë përbërëse e kompanisë së njohur vendore “Pestova”, që gjendet në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.

 

Gjatë kësaj vizite, studentët u pritën nga përfaqësuesi i fabrikës, Agron Halimi, i cili i njoftoi me teknologjinë që përdoret dhe me procesin e përgatitjes së produkteve finale, konkretisht, përgatitjes së llojeve të ndryshme të çipsave nga lënda e parë e patates, duke aplikuar standardet HACCP.


Ndër tjerash, Halimi theksoi se kompania “Pestova” është e hapur për pranimin e studentëve të UBT-së, që janë të interesuar për kryerjen e punës praktike.

 

Pestova është kompani vertikalisht e integruar, e cila fillon nga prodhimi i farës së patates, kultivimi i patates për konsum dhe përpunim, shitje dhe distribuim i patates dhe produkteve të saj.
Si kompani private është themeluar në vitin 1991 dhe është riregjistruar në vitin 1999, ndërkaq që nga janari i vitit 2008, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është bashke aksionare në Pestovë.

 

Aktivitetet biznesore të Pestovës janë: importi, prodhimi dhe shitja e farës së patates, shitja e mekanizmit, inputeve bujqësore, prodhimi dhe shitja e patates së freskët, përpunimi i patates në Chips dhe në produkteve tjera, si Flips dhe Snacks.