Studentët e UBT-së vizituan Avokatin e Popullit
13/12/2012
Prishtinë, 12 dhjetor 2012- Studentët e Fakultetit të Juridikut në UBT, bashkërisht më Prof. Dr. Belul Beqaj, sot kanë zhvilluar një vizitë studimore në Institucionin Avokatit të Popullit në Prishtinë, ku janë njohur me zhvillimin e këtij institucioni që nga fillimi i punës, proceset e deri në ditët e sotme, gjithashtu studentët u njoftuan për së afërmi për rolin dhe funksionin e institucionit autoritativ në sistemin juridik të Republikës së Kosovës.
“Avokati i Popullit është institucion i pavarur, i përcaktuar me kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Ligjin për Avokatin e Popullit. Misioni ligjor dhe kushtetues i këtij institucioni është për mbrojtjen , mbikëqyrjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, nga veprimet e paligjshme ose mosveprimet e autoriteteve publike të vendit, dhe mundëson krijimin e pasqyrës së të drejtave dhe lirive të njeriut në Republikën e Kosovës, përfshirë dhe shkallën e shkeljes së tyre”, tha para studentëve Avokati i popullit z. Sami Kurteshi.
Ai shtoi se ky institucion nuk ndanë drejtësi, por eviton dhe nxjerrë në pah veprimet apo mosveprimet e parregullta a të paligjshme të autoriteteve publike, pikërisht për të luajtur rolin që ka në ndërtimin e një shoqërie të bazuar në parimin se të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Gjatë kësaj vizite z. Kurteshi , përveç mikpritjes i ka falënderuar studentët e UBT-së për vizitën e bërë dhe ndër të tjera i ka njoftuar edhe me objektivat zhvillimore dhe aktivitetet vepruese që ky institucion do t’i ketë në periudhën vijuese konform planit të tyre.
Nga ana e studentëve u shtrua çështja e mundësisë së bashkëpunimit ndërmjet UBT dhe Institucionin Avokatit të Popullit. Palët pritës përkrahën iniciativën dhe shprehën mikpritje edhe në të ardhmen për studentet në këto institucion për vizita , hulumtime shkencore, etj etj.
“Kjo vizitë ishte shumë e qëlluar, prandaj rekomandojmë që vizitat tilla profesionale të organizohen edhe në institucion të shumta që ka vendi dhe më gjerë”, tha Bajram Krasniqi studentë në UBT.