Studentët e UBT-së vazhdojnë suksesshëm studimet në universitete evropiane

01/03/2017

Ëndërr e çdo të riut është të studiojë në universitetet me renome botërore. Për Vigan Zekën kjo ëndërr është bërë realitet falë angazhimit të tij, por edhe studimeve në UBT.


Vigan Zeka, është një ndër shumë studentët e Fakultetit të Arkitekturës të cilët po përfitojnë nga studimet në UBT. Ai, pas studimeve Bachelor në UBT, po vazhdon suksesshëm studimet në nivelin Master në Universitetin e njohur Politecnico di Milano, të Italisë. Vigani tregon se në fillim ishte sfidë përzgjedhja e institucionit arsimor, se kujt t’i besojë që të fillojë me ngritjen profesionale. Tani, pa asnjë hezitim thotë se ka bërë zgjedhjen e duhur që i ka besuar UBT-së për formimin e tij si arkitekt.


“I privilegjuar ndihem që pas përfundimit të studimeve në nivelin Bachelor jam shumë i kënaqur me vendimet që i kam marrë. Njohuritë e fituara në UBT tanimë po bindem që ishin shumë të qëlluara në formimin tim, në hapat e parë që i kam marr si arkitekt. Kam pas rastin që këtë semestër të vazhdoj studimet master në një universitet të nivelit botëror, siç është “Politecnico di Milano” në Itali”, tregon Vigani. Vigani dhe shumë studentë si ai, janë dëshmia më e mirë se studimet në UBT janë të nivelit evropian dhe shumë cilësore.


Ky i ri me mburrje tregon se ka shumë elemente që studimet në UBT janë të nivelit evropian. Vigani është në mesin e 40 mijë studentëve nga mbarë bota në një Universitet Politecnico di Milano dhe është mjaftë i suksesshëm.


“Me shumë kënaqësi them se sistemi i punës, i qasjes ndaj problemeve arkitektonike, është po ai të cilin na kanë mësuar profesorët në lëndët profesionale në UBT. Studio design 2 me profesor Arbër Sadikun, pastaj në Studio design 3 me profesor Banush Shyqeriun etj.,  tash të njëjtat me profesor të ndryshëm në universitetin e Politecnico di Milano. Sot, këto njohuri të fituara, po më ndihmojnë që të vazhdoj me sukses këtu”, tregon Vigani. Ai flet për rëndësinë që i kushtohet 3D modeleve, në mënyrë që të përjetohet sa më mirë atmosfera, hapësira ku po projektohet në përpjesë të qytetit e pastaj volumi, masa e objektit etj, të praktikuara edhe në UBT.