Studentët e UBT-së fitojnë përvojë të mrekullueshme gjatë praktikës në Bechtel Enka

20/09/2017

Të ndarë në dy grupe, studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, kanë qenë pjesë e ekipeve punuese të kompanisë Bechtel Enka, gjatë kryerjes së punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.

 

Grupi i parë e studentëve e kanë pasur mundësinë e kryerjes së praktikës njëmujore në këtë kompani, falë bashkëpunimit që kjo e fundit e ka me UBT-në, teksa grupi i dytë do të vazhdojë praktikën profesionale deri në fund të muajit shtator.


Njëri ndër studentët që e ka përfunduar me sukses praktikën është Ard Jashari, i cili ishte i angazhuar gjatë tërë muajit gusht, dhe sipas tij, kjo përvojë ishte shume e nevojshme për faktin se ndërtimi i kësaj autostrade është njëri ndër projektet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në Kosovë dhe rajon.
“Duke e pasur parasysh që Autostrada “Arbën Xhaferi” është projekt infrastrukturor në të cilin janë të përfshira pothuajse të gjitha fushat e inxhinierisë së ndërtimit, përfshirë inxhinierinë gjeologjike, inxhinierinë e hidroteknikës, inxhinierinë e mjedisit, inxhinierinë e materialeve, inxhinierinë e strukturave, inxhinierinë e infrastrukturës, si dhe menaxhimin në ndërtimtari, ishte përvojë e jashtëzakonshme dhe horizont i mundësive për të fituar njohuri të reja rreth praktikave të reja e të avancuara të punës, për projektimin konform normave dhe standardeve, për konceptet e reja rreth planifikimit dhe menaxhimit të punëve e resurseve etj”, vlerësoi studenti Jashari.

 

Ai tha se nga ajo që kishte parë, studentët e vetëm që kishim njohuri rreth të rejave për projektim sipas normave dhe standardeve evropiane, ishin studentët nga UBT dhe bazuar në këtë fakt, siç tregoi ai, një rast i definimit të klasave të ekspozimit për urat, i ishte caktuar atij si detyrë, në mënyrë që të përshkruante dhe argumentonte kushtet ndaj të cilave ekspozohet ura me elementet e saj.

 

Aktualisht, në kompaninë Bechtel Enka janë duke e vazhduar praktikën studentët e grupit të dytë nga UBT, të cilët janë duke i përfunduar suksesshëm të gjitha detyrat që po u caktohen.