Studentët e UBT-së dhe të Universitetit për Teknologji të Vjenës zhvilluan punëtorinë disaditore “Trashëgimia arkitektonike e Kosovës”

19/05/2015

Studentë të UBT-së dhe të Universitetit për Teknologji të Vjenës kanë zhvilluar një punëtori disaditore të titulluar “Trashëgimia arkitektonike e Kosovës” në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, të prirë nga profesoresha Dr Caroline Jaeger-Klein.

 

Punëtoria, qëllimi i së cilës ishte studimi i objekteve me rëndësi në trashëgiminë arkitektonike,  u organizua në kuadër programit Master Arkitekturë dhe mblodhi 12 studentë nga Vjena dhe 8 nga UBT.

Rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi, gjatë një takimi me Dr. Caroline Jaeger-Klein dhe me studentët i ka njoftuar për procesin akademik dhe punën hulumtuese e shkencore që bëhet në UBT. Ai theksoi gjithashtu bashkëpunimin shumë të mirë që ka UBT me Universitetin për Teknologji të Vjenës dhe me shumë universitete të rëndësishme botërore, të cilat u krijojnë mundësi studimi dhe përparimi profesorëve dhe sidomos studentëve të UBT-së.

Studentët kanë vizituar një varg objektesh me interes, duke përfshirë qendrën e qytetit të Prishtinës, zyra të profesionistëve të arkitekturës, si dhe objekte të ndërtuara me material ripërtëritës.

 

Gjithashtu, studentët dhe profesoresha Dr Caroline Jaeger-Klein, të shoqëruara edhe nga Arnisa Kryeziu, koordinatore e Programit Master – Departamenti i Arkitekturës  në UBT, vizituan disa pjesë të asaj që ka mbetur nga qyteti i vjetër i Prishtinës.

 

Pastaj, ata vizituan Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, si dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Prizren, studentët vizituan qytetin e vjetër, kështjellën, hamamin, xhamitë dhe monumente të tjera të shumta në këtë qytet, përfshirë edhe disa ura në rrugën për në Gjakovë.

 

Në Gjakovë ata vizituan Çarshinë e vjetër dhe objekte të tjera me interes.

Kullat ishin në fokusin e vizitave të studentëve gjatë qëndrimit në Dranoc, Junik, Isniq e Deçan, përpara se të shkojnë në Pejë, për të vizituar pjesët e vjetra të qytetit dhe manastirin ortodoks e muzeun etnografik.

Studentët vizituan manastirin e Graçanicës dhe zhvilluan një diskutim për planifikimin hapësinor në këtë komunë.

Ndalesa tjetër ishte Novobërda, ku ata vizituan kalanë, xhaminë tradicionale, tyrben dhe objekte të tjera.

Ndërsa, në vizitën e fundit të këtij rrugëtimi ata ishin në Vushtrri, ku vizituan urën e kohës a romake, hamanin dhe objekte të tjera me interes.