Studentët e Ndërtimtarisë analizojnë të mirat dhe të metat e autoudhës “Ibrahim Rugova”
26/12/2017
Studentët e nivelit master të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Infrastrukturës, të specializimit Komunikacion dhe Infrastrukturë, kanë realizuar vizitë unike studimore në autoudhën “Ibrahim Rugova”, nën përcjelljen e ekspertit të komunikacionit dhe ligjëruesit, prof dr Nol Dedaj.
Në fokus të vizitës kanë qenë elementet e pajisjeve dhe të sinjalizimit të autoudhës, si pjesë që kanë rol tejet të rëndësishëm në sigurinë e komunikacionit rrugor.
Me këtë rast janë analizuar shenja e lajmërimit të fillimit të autoudhës dhe shenja e urdhëresës se prerë, gjegjësisht shenja e kufizimit të shpejtësisë maksimale të lëvizjes së automjeteve, tutje është analizuar edhe ndarja në mes të autoudhës “Ibrahim Rugova” dhe daljes nga autoudha, ku është paraqitur pajisja elastike me mbrojtëse amortizuese të forcave të goditjes.
Gjatë vizitës janë analizuar edhe metodat me të cilat bëhet mbrojtja nga rënia e gurëve, rezultat që arrihet me anë të rrjetave metalike.
Krahas kësaj, studentët kanë analizuar edhe dobësitë dhe punët që nuk janë kryer mirë në këtë autoudhë, përfshirë pajisjen elastike me mbrojtëse amortizuese të forcave të goditjes, që paraqet rrezik potencial për përplasje të automjeteve për shkak të mospranimit të informacionit me kohe në dukshmëri të kufizuar. Sipas studentëve që i bënë këto analiza, tabelat e informimit mbi vendbanimet janë të vendosura në vend jo të duhur, teksa edhe barërat e betonit jashtë autoudhës në një distancë të vogël, nuk janë zgjidhje adekuate, pasi që është e nevojshme të vendosen pahijet elastike në atë mënyrë që në raste të goditjes me automjete, të amortizohen forcat në pahije elastike, e jo në blloqe betoni.
Qëllimi i vizitave të tilla që organizohen nga Fakulteti i Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës, është që studentët të bëhen të vetëdijshëm mbi sfidat reale me të cilat do të përballen në të ardhmen, pasi të fillojnë punë, por të njëjtat vlejnë edhe si këshilla për studentët e shumtë që tashmë janë të punësuar.