Studentët e Arkitekturës dhe të Inxhinierisë në UBT qëndruan për vizitë në Maqedoni

17/06/2015

Studentë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Mjedisit me Infrastrukturë në UBT, të prirë nga profesori, Dr.Muhamet Ahmeti, realizuan një vizitë studimore në Republikën e Maqedonisë nga 12-14 qershor.

 

Sponsoruar nga kompania gjermane për prodhimin e materialëve ndërtimore “Knauf”, gjithsej 42 studentë të UBT-së vizituan fabrikën për prodhimin e materialit të allçisë “Knauf” në Dibër, ku u njohën më për afër me punën e fabrikës për prodhimin  e allçisë dhe materialeve të tjera ndërtimore që përdoren në arkitekturë dhe në ndërtimtari.

Përfaqësuesit e “Knauf”-it i njoftuan studentët me historinë e kësaj fabrike që më herët është quajtur “Radika” dhe që pas privatizimit e ka marrë kompania gjermane “Knauf”.

 

Kjo është një nga fabrikat më të mëdha në regjion. Po ashtu, edhe lënda e parë është unike dhe e vetmja në botë. Vetëm një fabrikë që disponon me rezerva të allçisë silikate të përafërt gjendet në Meksikë.

Studentët vizituan minierën ku edhe patën rastin të shohin allçin silikate 100 për qind të pastër, po ashtu edhe minerale të tjera të allçisë në forma dhe ngjyra të ndryshme sipas përbërjes kimike.

Studentë patën mundësi ta vizitojnë edhe repartin për prodhimin e materialeve të ndryshme nga allçia, po ashtu edhe repartin për prodhimin e pllakave nga allçia, ku kapaciteti i prodhimit të këtyre pllakave ditore është 50000 metra katrorë.

Po ashtu, studentë vizituan edhe laboratorin ku testohen këto materiale.

 

Gjatë vizitës, studentët qëndruan edhe në Strugë, në Ohër, në Shën Naumi, parkun nacional “Galiqica”, si dhe disa objekte me rëndësi historike e arkitektonike në këtë pjesë.