Studentja nga India, përfiton nga Erasmus+ për të marrë përvojë në UBT

08/06/2018

Shkalla e lartë e ndërkombëtarizimit po krijon mundësi për studentë të shumtë nga e mbarë bota që të vijojnë studimet në UBT, tërë kjo falë programeve të ndryshme të shkëmbimit, pjesë e të cilëve është institucioni.

Zahara Chhapra është studente e nivelit master nga India, e cila studimet e këtij niveli po i përfundon në Bauhaus, në Dessau të Gjermanisë, por që falë programit Erasmus+, ka zgjedhur UBT-në që të vij për të ndarë përvojën e saj me studentë, zgjedhje për të cilën Zahara thotë se nuk do të pendohet asnjëherë.
“UBT, Studioja e Urbanizmit dhe puna që studentët po bëjnë, po më bën të ndihem shumë nostalgjike për ditët e kaluara gjatë studimeve bachelor në Kolegjin Rizvi të Arkitekturës, në Mumbai të Indisë.
“Studentët e UBT-së janë shumë entuziastë dhe shpeshherë paraqesin punën e tyre në anglisht, vetëm që unë të mund të kuptoj gjithashtu. Analiza që studentët po e bëjnë rreth Lipjanit dhe Deçanit, më jep njohuri të mëdha në lidhje me gjendjen e ndërtimit, rregullimin ligjor dhe kufizimet e planifikuesve në Kosovë, duke propozuar një vizion për një lagje apo një qytet. Të gjitha këto kanë bërë që përvoja e fituar këtu të jetë e mrekullueshme dhe e paharrueshme”, u shpreh ajo.

Ajo tregoi se për UBT-në ka dëgjuar nga kolegët e saj, studentë të UBT-së , me të cilët u takua vitin e kaluar përgjatë vijimit të një semestri në Hochschule Anhalt, ku pjesë e të njëjtit program ishin edhe këta studentë të UBT-së.
“Jam e lumtur që jam këtu, por ditët e mia në UBT më kanë dhënë shumë njohuri për vështirësitë që ka një profesor, ndjenjën të cilën nuk e kam përjetuar më parë. Është padyshim e vështirë të jesh në anën tjetër të tryezës, duke ndarë me studentë bazën e të dhënave dhe njohurive që vijnë përmes praktikës, leximit dhe përvojës praktike”, theksoi Zahara.

Mbi të gjitha, ajo ka mbetur e mrekulluar nga Kosova, qytetarët e saj dhe energjia e tyre.
“Këtu vazhdimisht është duke ndodhur diçka. Një ekspozitë në Galerinë Kombëtare, një koncert në librari, një dokumentar që shfaqet në kinema. Po e vërej që arti këtu është një forcë lëvizëse e rinisë, që përbën shumicën e popullsisë”, potencoi ajo, duke shpresuar që më shumë njerëz ta vizitojnë Kosovën dhe të marrin me vete kujtime të bukura që t’i ndajnë me njerëzit e vendeve prej nga vijnë.

UBT ka mbi 300 marrëveshje bashkëpunimi me universitete dhe institucione tjera ndërkombëtare, si dhe është pjesë e programeve të shumta për shkëmbim studentësh, prej ku deri tash kanë përfituar qindra studentë të UBT-së.