Studentja Gresa Maliqi është punësuar në Klan Kosova
19/11/2018Studentja e vitit të tretë në Fakultetin Media dhe Komunikim, Gresa Maliqi është punësuar si gazetare në emisionin e mëngjesit, “Ora shtatë”, në televizionin Klan Kosova.
Përgjegjësi e saj është që këtij emisioni t’i sjellë rrëfime të rralla, inovative, interesante, zbavitëse etj.
Gresa u bë pjesë e këtij televizioni disa muaj më parë si praktikante, pas një procedure pranimi të realizuar nga vetë televizioni, të cilën ajo e kaloi lehtësisht për shkak të përgatitjes gjatë studimeve në UBT.
“Ishte ndjenjë e veçantë kur në çdo çast ishte e pamundur të mos e kujtoja atë që e kishim mësuar për të mos e zbatuar në praktikë, duke u nisur nga rregullat gazetareske e deri tek shkelja e etikës. Në njëfarë mënyre, në këtë pjesë e kemi kursyer kohën e redaktorit, sepse ai nuk kishte nevojë të na korrigjonte për gjërat të cilat nuk lejohen në tekst. Unë isha e përgatitur në këtë aspekt falë teorisë së mësuar në UBT”, vlerësoi ajo.
Gresa tregoi se të punuarit në Klan Kosova e ka bërë atë edhe më të vetëdijshme mbi rëndësinë e gazetarisë dhe rolit që luan në shoqëri.
“Është kënaqësi kur nga një ndodhi, ne si autorë e prodhonim vetë lajmin dhe pastaj e transmetonim në mënyrë të gatshme tek opinioni i gjerë”, tha ajo.
Bashkë me Gresën, në Klan Kosova, në të njëjtën periudhë kohore, janë punësuar edhe dy studentë të tjerë të UBT-së, teksa pjesa tjetër e studentëve t+ Medias e Komunikimit kanë nisur punë nëpër televizione e portale të njohura vendore.