Studentja e UBT-së, Stinë Osmani, përfituese e bursës për shkëmbim studentor në Linnaeus University
05/10/2021Studentja e vitit të dytë të Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, Stinë Osmani, është fituese e bursës për shkëmbim semestral, bursë kjo që do t’i mundësojë asaj vazhdimin e studimeve në Linnaeus University të Suedisë, përmes programit Erasmus+.
Mundësitë e shumta që i ofroi UBT, shtrirja e bashkëpunimit të UBT-së me institucione të tjera, si dhe praktikat e mira të mësimit brenda institucionit, kanë bërë që Stina të përfitoi shumë dhe të jetë fituese e bursës për shkëmbim semestral, falë edhe përkushtimit dhe angazhimit të saj në studimet akademike.
“Në UBT kam përfituar shumë për faktin se programi që ata ofrojnë përmban lëndët pikërisht të duhura për aftësimin e studentëve në fushat e tyre të caktuara”, ka thënë studentja e Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, Stinë Osmani.
Dëshira për të mësuar gjëra të reja dhe eksperienca të tjera kanë bërë që ajo të bëj aplikimin për shkëmbim studentor jashtë vendit dhe të bëhet përfituese e bursës për të vazhduar studimet për një semestër në Linnaeus University të Suedisë.
“Nga eksperienca e shkëmbimit studentor pres të mësojë shumë gjëra të reja, si në fushën time të studimit ashtu edhe për sistemin edukues në një shtet tjetër nga vendi ynë”, ka thënë Stina.
Përmes mundësisë së shkëmbimit studentor me universitete partnere, përmes programit Erasmus+, UBT studentëve u ka ofruar një tjetër përspektivë dhe pikëpamje interesante të mënyrës së studiuarit, duke u mundësuar përfitimin e përvojave dhe kulturave të reja, në vende të ndryshme evropiane.