Studentja e UBT-së ideon dhe projekton Qendrën për Strehimin e Fëmijëve “Foleja”

25/01/2021

Studentja e vitit të tretë në Fakultetin Dizajn i Integruar në UBT, Agnesa Lusnjani, ka dizajnuar projektin e qendrës “Foleja”, projekt ky i ideuar dhe dizajnuar për fëmijët që kanë probleme financiare dhe nuk mund të ndjekin shkollimin, e që në këtë qendër do të kenë mundësinë të ushqehen, pushojnë e mësojnë gjatë ditës.

 

“Koncepti për zhvillimin e kësaj qendre vjen si frymëzim i drejtpërdrejtë nga puna e palodhur e disa qendrave të këtij lloji për t’u ofruar fëmijëve siguri, ngrohtësi dhe t’i inkurajoi ata të vazhdojnë arsimimin e tyre”, ka thënë Agnesa.

 

Sipas saj, UBT i ka ofruar shumë mundësi, që kanë kontribuar në ngritjen akademike, kështu duke e ndihmuar profesionalisht dizajnimin e një qendër të tillë.

 

“UBT më ka ofruar shumë mundësi, nga ku unë munda të shikoja veten dhe të mendoja se si mund të përfitoja dhe të rritem profesionalisht nga kjo përvojë”, ka shtuar studentja e Fakultetit Dizajn i Integruar, Agnesa Lusnjani.

 

E dëshira e saj për të jetësuar projektin e qendrës “Foleja” është e madhe, pasi siç thotë ajo, kjo qendër do t’i bashkëngjitej shumë qendrave të tjera që kanë një mision të ngjashëm.