Studentja e UBT-së, Edi Alidema fiton çmimin e dytë në garën “Elementet Urbane” të organizuar nga Instituti Space SyntaKs
05/05/2023Studentja e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, Edi Alidema ka fituar çmimin e dytë në garën “Elementet Urbane” të organizuar nga Instituti Space SyntaKs në bashkëpunim me partnerët e tjerë, si një mundësi për të gjithë entuziastët e dizajnit.
Kjo garë kishte për qëllim projektimin e ulëseve, shportave dhe mbrojtëseve urbane, si një sfidë interesante për shfaqjen e kreativitetit dhe inovacionit nga pjesëmarrësit.
Studentja Edi Alidema ka vlerësuar se kjo garë ishte një mundësi unike për të promovuar talentin dhe kreativitetin e saj, si dhe një motivim shtytës për të. Ajo ka theksuar se në UBT bashkëpunimi i mirëfilltë me profesorët dhe kolegët e saj të fakultetit ka shërbyer si burim frymëzimi për karrierën e saj të ardhshme si arkitekte.
“Tre vite si studente në UBT në drejtimin e Arkitekturës ishin një udhëtim i mrekullueshëm për mua. Nëpërmjet projektimit të ndërtimeve të ndryshme dhe punës me ekipet e shkëlqyera të studentëve dhe profesorëve të mi të devotshëm, unë kam zhvilluar aftësi kreative dhe inovative që do të shërbejnë si burim frymëzimi për mua në karrierën time të ardhshme si arkitekte. Në një ambient bashkëpunues dhe inkurajues, unë kam filluar të kuptojë se arkitektura është shumë më shumë se sa thjesht një punë”, ka thënë Alidema.