Studentja e UBT-së, arkitekte në Zvicër
25/03/2019Janë të shumtë studentët e UBT-së, të cilët kanë kaluar kufijtë kombëtarë dhe ekspertizën e profesionalizmin e tyre tashmë po e dërgojnë nëpër kompani të ndryshme ndërkombëtare.
Një e tillë është Edona Klaiqi, e cila ka përfunduar studimet bachelor e master në UBT, porse momentalisht veprimtarinë e saj profesionale e ka përqendruar në Zvicër, ku është duke punuar në kompaninë “Aziriarchitekten”, me seli në qytetin e Baselit.
Ajo është arkitekte përgjegjëse për përfundimin e projekteve ideore kryesore, zbatuese, enterier dizajne, urbanistike, si dhe të gjitha llojet e projekteve që i përkasin kërkesave të kompanisë për të cilën ajo punon.
Edona thotë se studimet e kryera në UBT i kanë ndihmuar në përmbushjen e synimeve për ngritje në karrierë, që është dëshmuar edhe me punësim.
“Për mua, zgjedhja e UBT-së ka qene një ndër zgjedhjet më të mira që kam bërë në jetë, duke marrë parasysh kuadrin e profesorëve, mënyrën e studimit, aftësinë dhe vetëbesimin që e fiton secili student gjatë studimeve, duke e ndjerë veten të lirë për të shprehur opinionet”, vlerësoi ajo.
Edona është kyçur në tregun e punës qysh para gjashtë vitesh, sa ishte në studime të nivelit bachelor, teksa ka punuar për kompani të ndryshme vendore.