Studentja e Shkencave Politike, Liri Kosovare Bllaca është punësuar në UBT

22/11/2018

Liri Kosovare Bllaca ka vijuar me sukses studimet themelore në Fakultetin Shkencat Politike në UBT, kurse tash është e punësuar në institucionin ku mori dije për gjatë disa viteve.

 

Ajo është angazhuar si koordinatore e programeve, përfshirë të Fakultetit Politika Publike dhe Menaxhim, menaxhon aktivitetet e projektit PoSig, si dhe koordinon programin që UBT-ja e ofron me Universitetin e Varshavës.

 

Duke folur për studimet në UBT, Bllaca vlerësoi se institucioni i ofroi mundësi të shumta. Sipas saj, falë UBT-së ajo mori pjesë në konferenca vendore e ndërkombëtare, ishte pjesë e shumë trajnimeve dhe aktiviteteve në fushën e Shkencave Politike.

 

“Studimet në UBT i bën të veçanta përkushtimi që institucioni ka ndaj studentëve. Konsideroj që institucioni ofron cilësi të lartë në mësimdhënie, ka profesorë të shkëlqyer dhe motivues. Gjithashtu ofron edhe mundësi për zhvillimin profesional të studentëve, pjesëmarrje në konferenca të ndryshme, si dhe aktivitete të shumta me interes që zhvillohen në kuadër të UBT-së, dhe jo vetëm”, potencoi studentja Bllaca.

 

Tutje, ajo tha se nga fillimi i studimeve bachelor e deri më sot, UBT i ka ofruar mbështetje të madhe në zhvillimin e saj profesional. Ajo bëri të ditur se do t’i vazhdojë edhe studimet master në UBT, në po të njëjtin drejtim.