Studenti i UBT-së, ushtari më i mirë i Brigadës së Mbështetjes Operacionale
15/04/2019Studentët e UBT-së, përpos përgatitjes profesionale që e marrin gjatë studimeve, tregohen tejet të suksesshëm edhe në vendet e tyre të punës, qoftë edhe atëherë kur punë e kanë ruajtjen e sigurisë së qytetarëve dhe vendit.
I tillë është studenti i nivelit master, në Fakultetin e Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës, në UBT, Labinot Vuniqi, i cili e ka zënë vendin e parë në një gatë të organizuar nga Forcat e Armatosura të Kosovës, ku mban pozitën e tetarit në Batalionin e Logjistikës.
Në këtë garë janë testuar njohuritë e përgjithshme, testi fizik, navigimi tokësor, si dhe marshimi prej 15 kilometrash me ngarkesë.
Ceremonia e garës së ushtarit më të mirë në kuadër të Brigadës së Mbështetjes Operacionale është mbajtur në kazermën “Adem Jashari”, të Komandës së Forcave Tokësore, ku pjesëmarrës ishin : komandanti i Forcave Tokësore (KFT), gjeneral brigade Enver Cikaqi, komandanti i BMO-së, gjeneral brigade Naim Haziri, zv. komandanti i BMO-së, kolonel Avdi Rraci, komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile, kolonel Shaip Haziri, komandantët e batalioneve të BMO-së, si dhe oficerë dhe nënoficerë të FSK-së.
Kjo garë në kuadër të BMO-së ishte parapërgatitje për garën finale me karakter ndërkombëtar, e cila do të organizohet në nivel të FSK-së, në fund të muajit prill.
Vlen të thkesohet se UBT ka qenë institucioni që ka përkrahur me bursa studimi dhe me trajnime gjeneratën e parë të kadetëve të TMK-së, tash Forcave të Armatosura të Kosovës.