Studenti i Mekatronikës, Mustafë Abazi, i angazhuar në kompaninë e njohur “Formon”

09/06/2020

Studenti i Fakultetit të Mekatronikës në UBT, Mustafë Abazi është angazhuar në pozitën e teknikut të montimit në kompaninë e njohur “Formon”.

 

Ai bën montimin e printerëve 3D, si dhe merret me strukturën e epërme, me lidhjen e qarqeve elektrike, por edhe me testimin final të printerëve.

 

Studenti Abazi tha se është zhvilluar profesionalisht në UBT, ndërkohë lehtësisht është qasur edhe në tregun e punës.

 

“Që nga vitet e para të studimeve, synimi i UBT-së ka qenë të na përgatisë nga ana praktike dhe ajo teorike në nivel profesional, në mënyrë që ne si studentë të jemi të gatshëm të fillojmë karrierën profesionale edhe pas studimeve. Po ashtu, bashkëpunimet që ka UBT me kompani të shumta të vendit tonë ka qenë ndihmesë e madhe që unë si student ta kem më të lehtë të gjejë një vend të punës”, tha ai.

 

Në këtë kompani tashmë janë angazhuar me punë disa studentë të UBT-së, kjo si rezultat i profesionalizmit të treguar në fushën e mekatronikës.