Studenti Benart Shala mori pjesë në Matchmaking Conference, në Slloveni

20/02/2019

Studenti i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, Benart Shala, ka marrë pjesë në Matchmaking Conference, si pjesë e Creative Exchange 2019, që u mbajt në Lubjanë të Sllovenisë dhe ku morën pjesë dhjetëra arkitektë profesionistë e studentë premtues të arkitekturës.

 

Në këtë konferencë, Benarti prezantoi projektin e tij “Arkitektura përmes Efektit të Fluturës – Muzeu i Arkitekturës në Lisbonë”, që ngjalli interesim të jashtëzakonshëm tek pjesëmarrësit, e veçanërisht tek dy organizata, të cilat shprehën interes për bashkëpunim konkret me të.

 

Pas këtij prezantimi, ai ka marrë ftesë që të bashkohet edhe në Tirana Design Week, ku do të përgatisë planprogramin, si dhe do të mbajë një punëtori me studentë të shumtë të interesuar, për të bërë instilacione të ngjashme.

 

Kujtojmë se Benarti me këtë projekt hyri në garën ndërkombëtare, “Future Architecture”, pjesë e së cilës ishin mbi 350 projekte të arkitektëve të rinj nga 70 shtete të ndryshme të botës, prej ku projekti i tij arriti të shpallej si projekti më i votuar nga publiku dhe mblodhi gjithsej 1201 vota, më shumë sesa çdo garues tjetër i botës.