Studentët nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut vizitojnë Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së përmes projektit ndërkombëtar VIRTUAL

11/10/2024

Studentë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po qëndrojnë në UBT për një vizitë në Parkun Shkencor Inovativ në Lipjan, në kuadër të projektit ndërkombëtar “VIRTUAL”, i cili ka për qëllim të përmirësojë nivelin e kompetencave, aftësive dhe potencialin e punësimit të studentëve të arsimit profesional. Ky projekt është një iniciativë që synon përgatitjen e studentëve në sektorin e Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) përmes metodave inovative dhe teknologjive të fundit, duke përfshirë Realitetin Virtual (VR), Realitetin e Shtuar (AR) dhe simulatorët modernë.

Vizita në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së i ofroi studentëve një mundësi të jashtëzakonshme për t’u njohur nga afër me teknologjitë më të avancuara që përdoren në fushën e turizmit, mikpritjes dhe shërbimeve të tjera. Kjo përvojë u mundësoi studentëve të kuptojnë se si teknologjitë e realitetit virtual dhe të shtuar mund të përdoren për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe të edukimit në industrinë e turizmit, një sektor kyç për ekonomitë e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të zhvillonin takime dhe diskutime me profesorë dhe ekspertë të UBT-së, të cilët ndanë përvojat e tyre në integrimin e teknologjive të reja në proceset mësimore dhe praktike. Ata gjithashtu u njohën me projektet inovative të zhvilluara në UBT, të cilat janë pjesë e një rrjeti të gjerë ndërkombëtar bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.