Studentët e UBT-së zhvilluan vizitë studimore në kompanitë “RC Cola”, “Jaffa Shampion”, “Floil” dhe “Fleksograf” në Gjilan

12/12/2023

Studentët e Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologjisë dhe të nivelit master në programin Shkencat dhe Teknologjia e Ushqimit në UBT, kanë realizua vizitë studimore në kompanitë “RC Cola”, “Jaffa Shampion”, “Floil” dhe “Fleksograf” në Gjilan.

Të shoqëruar nga profesorët: Violeta Lajqi, Luljeta Ajdini, Sami Makolli, Vlora Rama dhe Sami Gashi, studentët kanë parë nga afër proceset e prodhimit të ushqimeve, duke filluar nga proceset e prodhimit të pijeve energjike, lëngje frutash dhe të gazuara, procesin e prodhimit të vajit dhe të paketimeve fleksibile, kushtet e prodhimit, analizat, menaxhimin e proceseve dhe cilësisë, e deri paketimi dhe trajtimi i mbetjeve.

Në kompaninë ”RC Cola”, studentët u priten nga teknologia Albina Mustafa, udhëheqësja e procesit të prodhimit, e cila i informoi studentët për procesin e prodhimit të lëngjeve energjike, ujit me vitamina dhe çajit të ftohtë, mbushjen dhe pikat kritike të kontrollit dhe ato mikrobiologjike, si dhe paketimin e tyre në shishe PET dhe kanaçe alumini.

Vizitën e vazhduan në fabrikën e prodhimit të lëngjeve të pagazuara me fruta të ndryshme në “Jaffa Shampion”, ku teknologia Leonita Salihu i ka shoqëruar studentët, duke iu interpretuar procesin e trajtimit të lëndës së parë, përzierjen, pasterizimin, paketimin aseptik, ftohjen dhe deri të paletizimi i tyre.

Në kompaninë “Floil” iu mundësua përcjellja nga afër e gjithë procesit të prodhimit të vajit ‘Floil‘ që nga lënda e parë e deri te menaxhimi i mbetjeve. Po ashtu, studentët u informuan për risitë në prodhimin e vajit të kolzës me një cilësi të lartë, i pasuruar me Omega 3 dhe 6 ‘Floil Rapeseed Oil‘, si dhe vajit për fërgesë të gatshëm për eksport.

Në fabrikën për prodhimin e paketimeve fleksibile “Flexografi” e pajisur me teknologji më moderne të printimit dhe dizajnimit dhe koekstrudimit, u mundësua përcjellja e procesit të prodhimit të paketimeve fleksibile, etiketave, testimit, deri te produkti final – paketimi shumë shtresor, me barrierë adekuate për paketimin e kafes, supave, biskotave dhe produkteve tjera ushqimore.