Studentët e UBT-së vizituan KOSTT-in
12/11/2018Studentët e vitit të dytë në Fakultetin e Inxhinierisë Efiçiente vizituan Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike në Kosovë, “KOSTT”, si kompani publike me 100% të aksioneve shtetërore.
Studentët, të shoqëruar nga profesorët në UBT, Vehebi Sofiu dhe Faton Maloku, panë nga afër se si bëhet planifikimi, operimi, mirëmbajtja dhe zhvillimi i sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë, operimin efikas, ekonomik dhe të koordinuar të sistemit të transmisionit, përfshirë rrjedhat ndërkufitare sipas niveleve të tensionit, si dhe balancimin e sistemit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Gjatë kësaj vizite, studentët janë pritur nga stafi i Qendrës Nacionale Dispeçerike në KOSTT, të udhëhequr nga drejtori për Burime Njerëzore, Ibrahim Gashi. Po ashtu, ata bashkëbiseduan edhe me inxhinierët udhëheqës për funksionimin e skadës operuese dhe sistemin e transmisionit në Kosovë. Ndërsa, në qendrën e operimit studentët janë njoftuar me rrjetin e transmisionit të Kosovës, i cili lidhet me shtetet fqinje përmes linjave ndërkufitare.
Gjatë gjithë kohës së vizitës studimore, studentët kanë parashtruar pyetje të shumta, duke detajuar çdo skemë të sistemit. Ndërkaq, në fund, atyre u është caktuar si temë grupore përgatitja e një detyre projektuese.