Studentët e UBT-së vizituan kampin ushtarak “Bondsteel”
28/06/2018Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, të shoqëruar nga profesorët e departamenteve, Hazir Çadraku dhe Bekim Selimi, kanë vizituar kampin ushtarak amerikan në Kosovë “Bondsteel”.
Studentët vizituan këtë kamp ushtarak për të parë nga afër infrastrukturën e Bondsteel-it, furnizimin me ujë të pijshëm, njëherësh ata janë njohur edhe me mënyrën e trajnimit të ujërave të zeza.
Valdet Gashi, zyrtar për mbrojtjen e mjedisit në kampin “Bondsteel”, ka sqaruar detajet që lidhen me procesin teknologjik të marrjes, përpunimit dhe jonizimit të ujit, teksa bashkërisht me studentët kanë vizituar edhe impiantet për prodhimin e ujit të pijes dhe atë të trajtimit të ujërave të zeza.
Gashi ka thënë se procesi i prodhimit të ujit në këtë kamp bëhet sipas standardeve të kërkuara nga ushtria amerikane, ku kampi ka të instaluar edhe rrjetin e shpërndarjes se ujit deri tek përdoruesit brenda kampit.
Kampi Bondsteel ndodhet pranë qytetit të Ferizajit dhe është baza kryesore për ushtrinë amerikane në Kosovë.
Kampi Bondsteel është baza më e madhe dhe më e shtrenjtë ushtarake e ndërtuar nga SHBA në Evropë, që nga Lufta e Vietnamit. Kampi Bondsteel u krijua për të ofruar siguri në rajon.