Studentët e UBT-së vizituan fabrikën që prodhon sistemin “Cobiax”

09/11/2018

Për shumicën e njerëzve, veçanërisht në tregun kosovar, sistemi “Cobiax” përbën ende një teknologji të re, përmes të cilës kursehen materiale në ndërtimtari dhe lirohet më shumë hapësirë në objekt.

Me anë të këtij sistemi, pesha e objektit mund të reduktohet nga 1.5 deri në 4.8 kilonjuton për metër katror.

  

 

Tërë këtë sistem unik dhe të ri pune, studentët e UBT-së, arritën ta shihnin përmes vizitës së realizuar në fabrikën “Heinze”, e cila është duke krijuar një brend të fuqishëm nëpër botë me partnerët ndërkombëtarë.

 

Në bashkëbisedim me studentët e UBT-së, përfaqësuesit e kësaj fabrike treguan se gjëja më interesante është se të gjitha këto produkte prodhohen në Kosovë me teknologji gjermane dhe eksportohen jashtë Kosovës, sidomos në Dubai e Gjermani, duke sjellë shumë përfitime në ndërtim dhe duke mundësuar 100% eksport.

 

Studentët patën rastin të ndjekin aplikimin e këtij sistemi në pllakat e meskatit dhe betonimin e tyre në vepër, dhe përveç kësaj, edhe prodhimin e elementeve në fabrikë.

 

Kjo vizitë është rezultat i bashkëpunimit të UBT-së me industrinë dhe u krijoi studentëve hapësirë që të jenë në një hap me inovacionet në fushën e inxhinierisë së ndërtimit.