Studentët e UBT-së, triumfues në konkursin arkitektonik ndërkombëtar, “Rwanda Chapel”

23/07/2019

Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor është shkolla ku po përgatiten arkitektët më të përgatitur profesionalisht, gjë që vërtetohet duke marrë për bazë, jo vetëm shkallën e lartë të punësimit të studentëve e ish-studentëve, por edhe suksesin dhe vlerësimin ndërkombëtar të veprave të tyre arkitektonike.

 

Suksesi i fundit është ai në konkursin arkitektonik ndërkombëtar, “Rwanda Chapel”, ku studentë dhe ish-studentë të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, të udhëhequr nga stafi i këtij fakulteti, kanë arritur të shpërblehen dhe të dallohen në mesin e qindra propozimeve profesionale.

 

Të udhëhequr nga ligjëruesi Kujtim Elezi, studentët e UBT-së, Besim Krosa dhe Qendrim Vogliqi janë shpërblyer me çmimin “Gold Mention”, kurse nën udhëheqjen e ligjëruesit Arber Sadiki, studentët, Leart Miftari, Adonis Rexhepi dhe Blerim Bajraliu, janë shpërblyer me çmimin “Honorable Mention”.

 

Konkursi është organizuar nga platforma “Young Architects Competitions”, kurse juria vlerësuese është udhëhequr nga dy emra gjigantë të arkitekturës bashkëkohore, Eduardo Souto de Moura dhe Peter Eiserman, të dy të vlerësuar vite më parë me “Prizker Prize for Architecture”, i njohur ndryshe si “Çmimi Nobel” për arkitekturë.