Studentët e UBT-së sjellin ide për projekte të reja në sektorin e agroturizmit

28/01/2025

Studentët e programit master “Planifikim Urban dhe Zhvillim i Qëndrueshëm” në UBT realizuan një vizitë të veçantë studimore në kompleksin Lura Agroturizëm në Novobërd, duke eksploruar rolin dhe potencialin e agroturizmit në zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë rurale.

Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të lëndës “Periferia Urbane dhe Zonat Rurale si Ekosisteme Ekonomike”, një platformë që i frymëzon studentët të lidhin teorinë me praktikën përmes shembujve konkretë.

Të mirëpritur nga pronari, Gani Buca, dhe drejtori, Genc Buca – një ish-student i UBT-së, studentët u njohën me historinë, aktivitetet dhe filozofinë e këtij kompleksi agroturistik. Me pasion dhe profesionalizëm, ata ndanë përvojën e tyre mbi menaxhimin e një biznesi të tillë inovativ dhe ndikimin e tij në komunitetin lokal.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të shohin nga afër proceset e prodhimit dhe përpunimit të lëndëve të para ushqimore, përgatitjen e ushqimeve tradicionale, si dhe të eksplorojnë galerinë e kompleksit, shtëpitë për mysafirë dhe terrenet sportive. Ky kompleks ilustron në mënyrë të përkryer se si një biznes rural mund të ndërthurë traditën dhe inovacionin për të krijuar një ekosistem ekonomik të qëndrueshëm.

Një moment i veçantë ishte theksimi i përfshirjes së prodhuesve lokalë në këtë iniciativë, duke u treguar studentëve se si agroturizmi mund të jetë një motor zhvillimi për komunitetin përreth. Për më tepër, studentët realizuan një shëtitje studimore në zonë për të identifikuar mundësi të reja për zhvillimin e agroturizmit dhe për të dhënë rekomandime konkrete për projekte të ardhshme.

Përmes këtyre përvojave, studentët jo vetëm që fitojnë kompetenca dhe aftësi të avancuara, por gjithashtu bëhen pjesë aktive e ndryshimeve pozitive në komunitet. Agroturizmi, si një sektor që mbart potencial të madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës, paraqet një fushë të rëndësishme ku studentët e UBT-së do të kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhme më të gjelbër, më të qëndrueshme dhe më të prosperuar për vendin.