Studentët e UBT-së realizojnë produktin industrial ”Finger Tip” (Video)

17/10/2018

Studentët e UBT-së, Nderim Bytyqi, Arbnor Demaj dhe Enis Gerbeshi, kanë realizuar projektin “Finger Tip”, që synon të lehtësojë procesin e verifikimit të pjesëmarrjes së studentëve në ligjërata.

Ky projekt është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe do të sigurojë saktësi në mbajtjen evidencës së studentëve tërësisht në mënyrë digjitale.

 

Sipas studentëve, ky projekt do të ndikojë në efikasitetin dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor, si në ruajtje të koncentrimit dhe energjisë së studentëve, pasi që është paraparë që i tërë procesi të zgjas jo më shumë se tre sekonda për secilin student.

 

Ky produkt industrial do të funksionojë përmes shenjës së gishtërinjve, por sistemi i tij softuerik është i krijuar në atë mënyrë që në bazën e të dhënave të mos ruhen shenjat e gishtërinjve, por në formën e një ID-je unike, që do të jetë e veçantë për çdo student.

“Për arsye të ligjeve ekzistuese në Kosovë dhe në botë, në aspektin e ruajtjes së privatësisë së çdo personi, ne shenjat e gishtërinjve nuk do t’i ruajmë si imazh, por si një ID në bazën e të dhënave në kompjuterët lokalë, që funksionojnë për këtë qëllim”, tregoi studenti Nderim Bytyqi, i cili ka punuar në funksionimin e pjesës softuerike për këtë produkt.

 

E për studentin e Dizajnit të Integruar, Arbnor Demaj, UBT mundëson një bashkërendim të punëve dhe bashkëpunim ndërmjet studentëve, për të arritur deri tek rezultatet konkrete.

“I jam falënderues UBT-së që  ka krijuar një program të Dizajnit të Integruar që është kombinim i të gjitha sferave të dizajnit, duke na e bërë këtë profesion më të veçantë”, theksoi studenti Arbnor Demaj.

 

Grupi i njëjtë i studentëve ka filluar realizimin edhe të disa projekteve të tjera inovative për Kosovë dhe rajon, me të cilat synojnë që të jenë konkurrues në tregun aktual të industrisë.