Studentët e UBT-së, pjesëmarrës në punëtorinë e përbashkët me studentët nga Zvicra

16/11/2018

Katër studentët e dalluar të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Ferdinand Rexhaj, Shqipe Voci, Leon Deva dhe Arbër Hasani, kanë qenë pjesë e një punëtorie të përbashkët me studentët e Universitetit të Bernit, në Zvicër.

Pjesë e kësaj punëtorie kanë qenë gjithsej 25 studentë, prej të cilëve pesë ishin nga Kosova, ndërkaq 20 të tjerë nga Zvicra.

Përgjatë kësaj kohe, detyra e tyre ka qenë që, duke punuar në grupe, të krijonin hapësira rekreative, përkatësisht kulme, me motiv trekëndëshin, projekte këto që ishin të koncentruara në Parkun e Gërmisë, në Prishtinë, si dhe në Marash, në Prizren.

E tërë punëtoria ka zgjatur një javë, teksa në fund u përmbyll me prezantimin e projekteve të krijuara nga studentët, në lidhje me të cilat më pas u përgjigjën në pyetjet e profesorëve të pranishëm, duke i përfshirë edhe ato të dekanit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, prof. dr Lulzim Beqiri dhe të asistentes, Rineta Jashari.

 

Kjo punëtori është rezultat i bashkëpunimit mes UBT-së dhe Universitetit të Bernit, prej të cilës përfituan studentët e të dy institucioneve.