Studentët e UBT-së panë punimet që po kryhen nga Bechtel-Enka në segmentin “Kaçanik-Han i Elezit” (Video)

23/11/2018

Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës kanë realizuar vizitë studimore tek segmenti rrugor Kaçanik-Han i Elezit, me ç’rast panë nga afër punimet që po kryhen nga kompania Bechtel-Enka.

Vizita u zhvillua nën shoqërimin e ligjëruesit në UBT, Beni Kizolli.

Për të marrë informacione mbi specifikat dhe standardet e punës që po kryhet, ata u pritën nga Arsim Rapuca, kontrollues i cilësisë nga kompania mbikëqyrëse e punës në autostradë, “Hill International”, ndërkaq informacione të vlefshme morën edhe nga inxhinieri në Bechtel-Enka, Dardan Thaçi.

 

Studentët panë punimet që po kryhen në disa pjesë të këtij segmenti të autostradës, duke nisur nga ura e parë, ku u njoftuan me drenazhimin e sipërfaqes së urës, largimin e ujërave përmes ujëmbledhësve dhe gypave, si dhe procesin e shtrimit të asfaltit. Tutje, ata vizituan urën më të gjatë mes Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, ku janë informuar për mënyrën e vendosjes së mbrojtësve të betonit, instalimin, vendosjen dhe monitorimin e qëndrueshmërisë së trarëve.

Studentët panë nga afër edhe urën më të gjatë afër Hanit të Elezit, me ç’rast u njoftuan për prodhimin dhe montimin e trarëve.

Aktiviteti u përmbyll me vizitën e realizuar në pjesën e sipërme të urës më të lartë, punimet e së cilës nuk kanë përfunduar ende.