Studentët e UBT-së në Urën e Re të Kukësit

07/03/2024

Ura është simbol i lidhjes, i bashkimit, ashtu sikurse kjo e Kukësit, e cila lidh brigjet e Drinit me Rrugën e Kombit, dhe me këtë rast studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, të shoqëruar nga profesorë, kanë vizituar Urën e Re të Kukësit.

Studentët e UBT-së, të shoqëruar nga profesorët: Driton Kryeziu, Arsim Rapuca, Arbër Muçaj dhe Naser Morina, u mirëpritën nga projektuesi kryesor i Urës Ing. Giorgo Rizzo, Spartak Tumani, Ceo i Albanian Highëay Concession, Besmir Ismaili H&S, Ing. Marco Spezzotto dhe Ing. Arian Hoxha.

Projektuesi në detaje shpjegoi para studentëve për materialet e konstruksionit të Urës, zgjedhjen e formës së strukturës, zgjedhjen e mbështetësve, parametrat seizmik, analizën e presionit të erës, metodën e fondimit, si dhe metodën e zhvendosjes së Urës nga kantieri i ndërtimit në lokacionin e projektuar.

Metodologjia e zhvendosjes së strukturës së Urës ishte njëra nga pikat më interesante dhe më sfiduese e projektit ku projektuesi sqaroi në detaje dhe i arsyetoi metodat e përdorura duke pasur parasysh të gjitha vështirësitë qoftë nga terreni e qoftë edhe nga niveli i ujit të liqenit.

Ura e Madhe e Kukësit mbi lumin Drin është projektuar nga inxhinieri italian Giorgio Rizzo. Ka një gjatësi totale prej 310 metra, ndërsa harku metalik ka një bazë prej 270 metra, një lartësi prej 56 metra dhe peshon rreth 5000 ton.

Studentët e UBT-së, patën rastin të njihen prej së afërmi me punimet në këtë Urë, dhe të marrin njohuri të reja për ndërtimet e tilla.

Kjo vizitë ishte mjaft e frytshme për studentët nga aspekti praktik i njohjes së procedurave të projektimit, ndërtimit si dhe metodologjive të transportit dhe montimit në lokacionin përkatës.